Këngëtari amerikan Chris Brown është liruar me kusht nga një gjykatë në Londër të mërkurën, duke i hapur rrugë nisjes së turneut të tij botëror muajin e ardhshëm, pavarësisht një akuze të rëndë për sulm fizik, ka raportuar agjencia Reuters.
36-vjeçari përballet me një akuzë për dëmtim të rëndë trupor, pas një sulmi të supozuar ndaj producentit muzikor Abraham Diaw, me një shishe tekille, në një klub nate në Londër në vitin 2023.
Prokurorët e përshkruan incidentin si një “sulm të paprovokuar”.
Chris Brown nuk ishte i pranishëm në Gjykatën e Lartë të Southwark kur gjyqtari Tony Baumgartner vendosi ta lirojë me kusht dhe ende nuk është kërkuar që ai të deklarohet fajtor apo i pafajshëm për akuzën.
Ylli i muzikës R&B, i njohur për këngë si “Loyal”, “Run It” dhe “Under the Influence”, pritet të nisë turneun e tij “Breezy Bowl XX” më 8 qershor në Holandë.
Brown, u arrestua javën e kaluar në një hotel në Manchester, pasi u rikthye në Britani për herë të parë që nga incidenti i dy viteve më parë.
Fillimisht, më 17 maj, gjykata i refuzoi lirimin me kusht, por të mërkurën ai u lirua me kusht, me disa kushte strikte:
Duhej të paguante një garanci prej 4 milionë funtesh britanike, me edhe 1 milion funte të tjerë brenda shtatë ditëve.
Gjithashtu, gjykata ka urdhëruar që Brown të dorëzojë pasaportën e tij, përveç rasteve kur ai udhëton për turneun.