Ish-bashkëshorti i Kelly Clarkson, Brandon Blackstock, vdiq në gusht pas një beteje të fshehtë me kancerin. Këngëtarja ka pranuar se fëmijët e tyre, River 11 vjeç dhe Remy 9 vjeç, kanë kaluar një periudhë të vështirë kohët e fundit.
Gjatë një sesioni pyetje-përgjigje në YouTube në kanalin zyrtar të The Kelly Clarkson Show, Kelly tregoi se gjëja që i sjell më shumë gëzim çdo ditë janë përqafimet me fëmijët e saj. Ajo tha se, ndonëse janë rritur, ata ende e duan afërsinë dhe përqafimet.
“Ka pasur shumë gjëra për familjen tonë kohët e fundit, ndaj i kam lejuar fëmijët të flenë shpesh me mua,” u shpreh ajo, duke shtuar se bisedat që zhvillojnë në ato momente janë shumë të veçanta dhe përbëjnë kohën e saj të preferuar të ditës.
Blackstock, 48 vjeç, ishte diagnostikuar me melanomë tre vjet para vdekjes, por e kishte mbajtur sëmundjen larg vëmendjes publike. Familja njoftoi se ai u nda nga jeta në paqe, i rrethuar nga të afërmit.
Kelly dhe Brandon u ndanë në vitin 2020, pas shtatë vitesh martesë.