Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Kate Winslet, aktorja britanike e shndërruar në yll të Hollywoodit

Fituesja e shpërblimit Oscar, Kate Winslet, gjatë karrierës së saj si aktore, ka luajtur në një numër të filmave të suksesshëm. Por, famën më të madhe e fitoi në projektet me buxhet të lartë: “Titanic”, “Little Children”, “The Holiday” dhe “Mildred Pierce”.

E lindur më 5 tetor të vitit 1975 në Reading të Britanisë së Madhe, Kate Elizabeth Winslet, njihet si mbesa e dy menaxherëve të teatrit dhe vajza e dy aktorëve. Si fëmijë, ajo filloi të merret me aktrim duke e shënuar paraqitjen e parë në televizionin britanik qysh në moshën 7-vjeçare. Në vitin 1988, Winslet u shfaq në serinë “Shrinks” dhe tre vjet më vonë e braktisin shkollën për ta ndjekur karrierën e saj si aktore, transmeton Koha.

Winslet është paraqitur në skenën teatrore britanike në projekte të ndryshme si dhe e ka pasur një rol përsëritës në serinë “Get Back”, para se të siguronte rolin filmik debutues në filmin e regjisorit Peter Jackson, “Heavenly Creatures”. Aktorja rrëmbeu edhe më shumë vëmendje me rolin e saj të dytë në filmin e Ang Lee-s, “Sense and Sensibility”. Ajo e vërtetoi se mund të qëndrojë e barabartë në ekran, me disa prej legjendave të kinematografisë si: Emma Thompson, Hugh Grant dhe Alan Rickman. Roli në këtë film, përveç lëvdatave dhe kritikave të shumta pozitive, ia fitoi aktores nominimin e parë për shpërblimet “Oscar”. Rrugëtimin e saj artistik, Kate e vazhdoi me një rol krahas aktorit Christopher Eccleston në filmin “Jude”. Më pas u shfaq në rolin e Ophelia-s në filmin e regjisorit Kenneth Branagh, “Hamlet”, si dhe e fitoi reputacionin e aktores A të Hollywoodit me portretizimin e Rose DeWitt, në filmin rekordthyes të James Cameron-it, “Titanic”. Ky film i fitoi disa shpërblime Oscar, përfshirë këtu kategoritë “Filmi më i mirë” dhe “Regjisori më i mirë”, ndërsa me këtë rol, Winslet e fitoi nominimin e dytë për çmimin akademik.

Pas një suksesi të jashtëzakonshëm me role në filma me buxhet të lartë, aktorja e njohur britanike në vazhdim i bëri disa zgjidhje të çuditshme në karrierën e saj. Ajo luajti në filmat, “Hideous Kinky” dhe “Holy Smoke”, para se të kthehej te filmat dramatikë. Në vitin 2000 ajo luajti në filmin “Quills”, i cili e rrëfente historinë e jetës së novelistit francez, Marquis de Sade. Më 2001 Winslet e huazoi zërin e saj për filmin e animuar britanik “A Christmas Carol”. Një këngë nga ky film, “What If”, po ashtu e përfshiu zërin e aktores Winslet dhe u pozicionua në top-dhjetëshen e këngëve më të mira në Britani të Madhe. Po atë vit, aktorja luajti në një tjetër film të madh dhe të rëndësishëm për karrierën e saj, “Iris”, me skenar të bazuar në librin e John Bailey-t, “Elegy for Iris”. Winslet e fitoi edhe një tjetër nominim për shpërblim Oscar për portretizimin e mrekullueshëm të Iris Murdoch-ut në moshë të re.

Gjatë viteve 2000, Winslet luajti në disa projekte interesante filmike si: “Enigma”, “The Life of David Gale”, “Eternal Sunshine of the Spotless Mind”, i cili ia fitoi një tjetër nominim për Oscar, “Neverland”, “Little Children”, një tjetër film ky i cili i fitoi nominim për shpërblim akademik, “Revolutionary Road” dhe “The Reader”, i cili më në fund ia solli aktores fitoren e parë Oscar në kategorinë “Aktorja më e mirë”. Winslet më vonë e fitoi një çmim “Globi i Artë” dhe një “Emmy” për rolin protagonist në mini-serinë “Mildred Pierce”. Ajo po ashtu ka luajtur në filmin e regjisorit kontrovers, Roman Polanski, “Carnage”, ku aktori krahas yjeve Jodie Foster, Christoph Waltz dhe John C. Reilly. Disa prej filmave më të njohur të aktores mbesin: “Movie 43”, “Labor Day”, “Divergent”, “Insurgent”, “Steve Jobs”, “The Dressmaker”, “Triple 9”, “Collateral Beauty”, “The Mountain Between Us” dhe “Wonder Wheel”.

Sa i përket jetës së saj personale, Winslet vazhdon të jetë e martuar me Ned Rocknroll, nipi i biznesmenit të njohur Richard Branson. Çifti u kurorëzua në një ceremoni private në dhjetor të 2012-s dhe ishte aktori Leonardo DiCaprio, ai i cili e kishte përcjellë drejt altarit. Kate dhe Ned e kanë një fëmijë së bashku, djalin e quajtur Bear Blaze. Winslet më parë ka qenë e martuar me regjisorin Sam Mendes, me të cilin e ka një djalë të quajtur Joe. Aktorja po ashtu e ka një vajzë, Mia, nga martesa e saj e parë me Jim Threapleton-in, me të cilin ishte martuar në vitin 1998 dhe shkurorëzuar në dhjetor të vitit 2001.