Juria që po gjykon Sean “Diddy” Combs për trafikim seksual dhe pjesëmarrje në një rrjet kriminal, ka parë për herë të parë videot e “freak-off-eve” (festave të çmendura) që qëndrojnë në qendër të këtij rasti, ka raportuar The New York Times.
Videot, të xhiruara në vitet 2012 dhe 2014, përfshijnë ish-të dashurën e tij, Casandra Ventura (e njohur si Cassie), e cila ka dëshmuar se mori pjesë në këto “festa” nga frika, pasi Combs e kishte dhunuar disa herë gjatë marrëdhënies së tyre.
Videot u shfaqën vetëm për jurinë, me kufje dhe ekrane që nuk shiheshin nga publiku. Mediat dhe të pranishmit nuk u lejuan t’i shohin. Sipas raportimeve, disa anëtarë të jurisë u shqetësuan, ndërsa njëri prej tyre hoqi kufjet menjëherë pas videos së parë.
Combs, i cili ka deklaruar pafajësinë, pretendon se marrëdhëniet seksuale kanë qenë me pëlqim. Avokatët e tij i kanë quajtur videot si “prova të fuqishme që tregojnë se gjithçka ka qenë me konsensus dhe jo nën detyrim”.
“Ai ma prezantoi këtë koncept kur isha 22 vjeçe dhe do të bëja gjithçka për të, dhe e bëra”, ka thënë Ventura gjatë dëshmisë së saj.
Ajo ka treguar se Combs vendoste se çfarë aktesh seksuale duhej të kryente ajo me meshkuj të tjerë, ndërsa ai i filmonte dhe i kërcënonte se do t’i publikonte videot.
Videot ishin dorëzuar në prokurori nga vetë Ventura.
Prokurorët kanë prezantuar gjithashtu mesazhe të shumta që përfshijnë ish-shefen e stafit të Combsit, Kristina Khorram, të cilën Combs e ka quajtur “dora ime e djathtë”. Në këto mesazhe, Khorram organizonte qëndrimet në hotele luksoze, ku siguronte edhe vaj bebesh, drogë dhe ushqime për ngjarjet e ashtuquajtura “freak-offs”, “netët në hotel” dhe “netët e mbretit të çmendur”.
Në një mesazh të vitit 2016, ajo i shkruante një asistenti: “A mund t’ia çosh 4,000 dollarë, para të gatshme në hotel PD-së (është pseudonimi i Combsit)?”.
Prokurorët kanë deklaruar se Combs dhe rrethi i tij i afërt krijuan një rrjet të organizuar që mundësoi trafikimin seksual. Ndërkohë, mbrojtja këmbëngul se stafi i Combs po menaxhonte vetëm një biznes të ligjshëm dhe se “askush nuk do të dëshmojë se ka qenë pjesë e ndonjë organizate kriminale”, siç tha avokatja e tij Teny Geragos.
Dëshmia e Venturas dhe e një tjetër gruaje të identifikuar si Jane, kanë treguar se të dyja ishin ndier të detyruara të merrnin pjesë në këto ngjarje. Jane ka thënë se Combs i kujtonte shpesh se ishte ai që po ia paguante qiranë mujore prej 10,000 dollarësh.
Në një mesazh të vitit 2017, Ventura i shkruante Khorramit se “Askush nuk e meriton të tërhiqet zvarrë nga flokët”. Khorram i kishte premtuar se do të fliste me Combsin.
Në vitin 2023, kur Ventura ngriti padi për abuzim seksual dhe fizik, dolën mesazhe që tregonin se Combs kërcënonte edhe Janen.
“Ai po më kërcënon se do t’ia dërgojë videot babait të fëmijës tim. Janë video ku jam e droguar dhe duke bërë gjëra që ai më kërkonte në tre vjetët e fundit”, i shkruante Jane Khorramit në një bisedë.
Ndërkohë Khorram e kishte siguruar se “asgjë nuk do të ndodhë me këto video”.