Showbiz

Joshua Malina po kërkon anulimin e Mel Gibsonit në Hollywood

Foto: AP/Associated Press

Aktori i njohur amerikan, Joshua Malina, po i kërkon Hollywoodit që ta anulojë aktorin dhe regjisorin veteran, Mel Gibson.

Ish-ylli i serialit “The West Wing” po e kritikon industrinë e filmit që vazhdon ta angazhojë në projekte 65-vjeçarin Gibson, pavarësisht komenteve të kaluara antisemitike. Ai thotë që pavarësisht faktit se e vlerëson punën e kaluar të aktorit të filmave “Lethal Weapon”, mendon se tani nuk është e nevojshme që t’i jepen mundësi që karriera e tij të vazhdojë të lulëzojë.

Në një shkrim plot pasion të publikuar në revistën “The Atlantic”, me titull “Cancel Mel Gibson”, shkruhej: “Gibson shquhet për urrejtjen ndaj hebrenjve. Paragjykimet e tij madje janë të dokumentuara mirë. Prandaj, pyetja ime është, çfarë duhet të bëjë një person këtyre ditëve për të hyrë në listën e personave të padëshiruar në Hollywood. Unë jam vet aktor dhe gjithmonë mundohem t’i pranojë të gjitha rolet që më ofrohen. Por, dhe më dhemb ta shkruaj këtë, nuk ka shumë të hollash që do ta pranoja për të punuar me Mel Gibsonin. E vërteta është se unë i adhuroj filmat ‘Lethal Weapon’ dhe Danny Glover është një perlë e kinematografisë. Por Gibsoni? Po, ai është burrë i talentuar. Mirëpo shumë njerëz të tmerrshëm krijojnë art të mrekullueshëm. Unë personalisht mendoj që studiot filmike në Hollywood, nuk duhet ta angazhojnë atë në projekte filmike, qoftë si aktor apo edhe regjisor”.

Pasi Gibson së fundmi e bëri të ditur lajmin se është angazhuar për ta bërë regjinë dhe për të luajtur në filmin, “Lethal Weapon 5”, Malina ka filluar të dyshojë nëse kultura e anulimit ekziston vërtetë në Hollywood.

“Nëse Gibson mirëpritet të kthehet për ta bërë regjinë e vazhdimit të fundit të këtij filmi shumë të dashur nga publiku, atëherë është koha për të ndalohet botimi i shkrimeve të ndryshme ku jepet mendimi për fuqinë e ‘kulturës së anulimit’ në industrinë e filmit. Sepse, nëse ai mund të vazhdojë të arkëtojë të holla dhe të bëhet pjesë e projekteve të mëdha dhe atë me miratimin e Hollywoodit, atëherë lirisht mund të themi se kultura e anulimit thjeshtë nuk ekziston”

Tutje, aktori 55-vjeçar insiston se industria e filmit po i anashkalon shumë paragjykime tjera të supozuara të yllit të filmit “Braveheart”, pavarësisht se shënjestra e tij kryesore janë hebrenjtë, Joshua thotë se po injorohen përbuzja e tij e thellë ndaj grave si dhe sulmet raciste kundër afrikano-amerikanëve.

Por, aktori i serialit shumë të shikuar, “Scandal”, nuk pret që shkrimi i tij të ketë ndonjë ndikim të madh në këtë industri, përveç që mund t’ia dëmtojë atij karrierën. Tutje Malina u bëri kërkesë producentëve, regjisorëve dhe aktorëve më të mëdhenj të hollywoodit, që ta shfrytëzojnë zërin dhe ndikim e tyre për çështje dhe padrejtësi të këtilla.