Showbiz

Dështon ndërmjetësimi, s’ka marrëveshje mes Livelyt dhe Baldonit për padinë për ngacmim seksual

Blake Lively dhe Justin Baldoni

Blake Lively dhe Justin Baldoni

Aktorja Blake Lively dhe aktori/regjisori Justin Baldoni nuk kanë arritur marrëveshje pas një seance gjashtë orëshe ndërmjetësimi të mbajtur të mërkurën e kësaj jave.

Lively, e njohur nga seriali “Gossip Girl”, ka paditur kolegun e saj dhe regjisorin e filmit “It Ends With Us” si dhe kompaninë e tij të produksionit Wayfarer Studios për ngacmim seksual dhe hakmarrje profesionale.

Të dy palët u takuan me gjyqtaren federale Sarah L. Cave për një ndërmjetësim të detyrueshëm, sipas procedurave federale, ka raportuar FemaleFirst.

Megjithatë, sipas Variety, avokati i Baldonit, Bryan Freedman, ka konfirmuar para gazetarëve jashtë gjykatës në New York se takimi gjashtëorësh nuk solli zgjidhje dhe ai pret që çështja të shkojë në gjyq.

“Po e presim me padurim… Rasti do të vazhdojë”, ka thënë ai kur u pyet nëse rasti do të përfundojë në gjykim.

Megjithatë, bisedimet për një marrëveshje pritet të rifillojnë në një datë tjetër. Në një video të publikuar në X, avokati ka thënë se është “shumë shpresëplotë” për mënyrën se si do të ecë çështja e klientit të tij dhe se “gjithmonë ekziston mundësia” për marrëveshje.

“Do ta shohim”, ka shtuar ai.

Në dhjetor 2024, Blake Lively paraqiti ankesë për ngacmim seksual ndaj Baldonit gjatë xhirimeve të filmit.

Ai i mohoi akuzat dhe ngriti një kundërpadi ndaj aktores 38-vjeçare dhe bashkëshortit të saj, Ryan Reynolds, për zhvatje dhe shpifje. Kjo kundërpadi u rrëzua në muajin qershor të vitit 2025.

Në një seancë dëgjimore muajin e kaluar, avokatët e Baldonit kërkuan rrëzimin e padisë ndaj tij, duke argumentuar se bëhej fjalë për një mosmarrëveshje dhe jo për sjellje të pahijshme.

Por ekipi i Lively këmbënguli se sjellja e aktorit 42-vjeçar ishte “vazhdimisht e papërshtatshme dhe tejkalonte kufijtë”.

“Ky është një rast për realizimin e një filmi, me tema romantike dhe seksuale shumë të ngarkuara. Libri kërkonte skena sensuale… Barra e provës është të dëshmohet se kjo u përdor për të diskriminuar gratë”, ka deklaruar në gjykatë avokati i Baldonit, Jonathan Bach.

Pas kësaj seance, avokatja e Livelyt, Sigrid McCawley, ka thënë se aktorja ndihej “shumë mirë” për çështjen e saj.

“Ndihet shumë mirë për pretendimet e saj dhe dëshiron të dërgojë një mesazh për të gjitha gratë: nëse dëmtoheni në vendin e punës, mund të ngriheni për veten”, ka thënë ajo.

Aktorja, e cila së fundmi u shfaq në filmin “Another Simple Favor”, po kërkon mbi 160 milionë dollarë dëmshpërblim.

Gjyqi është planifikuar të nisë më 18 maj në New York.