Aktorja Dakota Johnson është bërë e njohur me filmat “How to Be Single”, “Suspiria” dhe “The Peanut Butter Falcon”, por ylli i Hollywoodit arriti të bëhej me rolin e saj në serinë e filmave “Fifty Shades”.
Aktorja edhe një herë i është kthyer romanit erotik teksa është pyetur për zgjedhje mes aktorit Jamie Dornan dhe personazhit të tij Christian Grey. Teksa po promovonte filmin e saj të ri “The High Note”, është pyetur nëse do të donte të ishte në një klub librash erotikë me Dornanin apo Greyn, transmeton KOHA. “Ndoshta Jamien... është më argëtues sesa Christian Grey”, ka thënë Dakota Johnson në emisionin “Stir Crazy with Josh Horowitz”. Johnsoni shkëlqeu në rolin e Anastasia Steele në tre filmat “Fifty Shades”. Ishte raportuar se ajo kishte mosmarrëveshje me aktorin, gjatë realizimit të tre filmave, por në emision ajo konfirmoi se gjithçka është në rregull.
Që prej publikimit të filmave është përfolur për një lidhje të mundshme mes dyshes, por asnjëri nuk e kishte konfirmuar këtë. Ndërkaq, Johnson në vitin 2017, ishte tallur duke thënë se e urren aktorin dhe se ka një aferë me të. “E urrejmë njëri-tjetrin dhe kemi një lidhje. A jemi në rregull, çfarë thoni për këtë?”.
Zërat i kishte shuar krejt në fund aktori Jamie Dornan në një intervistë me Jimmy Kimmelin në vitin 2018. “Kjo do të tingëllojë keq, por ne jemi si vëlla e motër. Unë jam i martuar dhe ajo ka pasur plot lidhje në të kaluarën, prandaj e njohim njëritjetrin”, kishte thënë aktori Dornan.