Pas një periudhe të gjatë mungese, aktori, Johnny Depp, po rikthehet në ekranin e madh me filmin e tij më të madh që nga koha kur u përjashtua nga Hollywoodi pas gjyqeve të bujshme për shpifje me ish-bashkëshorten Amber Heard.
Gjigandi i filmave “Paramount Pictures”, tani nën drejtimin e David Ellison, është në negociata përfundimtare për të marrë përsipër versionin e ri të filmit të njohur klasik të autorit Charles Dickensit, “A Christmas Carol”, ka raportuar The Hollywood Reporter.
Regjinë do ta bëjë Ti West, i njohur për filmat e zhanrit horror “X”, “Pearl” dhe “MaXXXine”.
Filmi do të titullohet “Ebenezer: A Christmas Carol” dhe pritet të dalë në kinema më 13 nëntor 2026.
Në projekt do të luajë edhe aktorja Andrea Riseborough, ndërsa skenari është shkruar nga Nathaniel Halpern. Filmi prodhohet nga Emma Watts, ish-udhëheqëse e studios Paramount.
Studioja e përshkruan filmin si “një histori tronditëse me fantazma, e vendosur në Londrën e Dickensit, që ndjek udhëtimin mbinatyror të një burri për t’u përballur me të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e tij, në kërkim të një shansi të dytë”.
Depp do të interpretojë rolin e Ebenezer Scrooge, zgjedhje që duket simbolike për karrierën e tij.
Dikur një nga yjet më të fuqishëm të shekullit XXI me role në “Pirates of the Caribbean”, “Alice in Wonderland” dhe “Charlie and the Chocolate Factory”, Depp u largua nga Hollywoodi pas gjyqeve të gjata dhe titujve mediatikë që e vendosën në qendër të polemikave.
Në vitin 2020 ai u shkarkua nga seria “Fantastic Beasts” e studios filmike “Warner Bros”.
Pas kësaj, aktori e zhvendosi fokusin në projekte jashtë Shteteve të Bashkuara, përfshirë filmin historik “Jeanne du Barry”.
“Nuk ndihem i bojkotuar, sepse nuk mendoj për Hollywoodin. Nuk ndjej më ndonjë nevojë për të, nuk e di për ju”, ka thënë ai në Festivalin e Kanës më 2023, kur u pyet për raportin me Hollywoodin
Hapi i tij i radhës ishte filmi “Day Drinker”, një thriller i prodhuar nga “Lionsgate”, që pritet të dalë në vitin 2026.
Paketa “Depp–West” u ofrua në treg gjatë verës, para se kompania “Skydance” të blinte “Paramountin”. Pavarësisht pezullimit të përkohshëm të marrëveshjeve pas ndryshimeve në drejtim, projekti u konsiderua “shumë tërheqës për t’u refuzuar”.