Showbiz

Johnny Depp: Barra e urrejtjes është shumë e rëndë për ta mbajtur

Johnny Depp

Johnny Depp

Foto: Associated Press

Aktori i njohur Johnny Depp ka deklaruar se refuzon të mbajë brenda vetes ndjenja urrejtjeje, pas betejës së gjatë ligjore dhe mediatike me ish-bashkëshorten e tij, aktoren Amber Heard.

Ylli i filmave “Pirates of the Caribbean” u nda nga Heard në vitin 2016, por karriera e tij mori tatëpjetën pasi ajo publikoi një shkrim ku aludonte se ishte viktimë e dhunës në familje. Depp e paditi për shpifje dhe beteja përfundoi në një gjyq të gjerë që tërhoqi vëmendjen e mbarë botës.

Por tani ai ka thënë se nuk mban mëri.

“Kjo mund të tingëllojë si budallallëk, por urrejtja është një përgjegjësi e madhe për ta mbajtur. Të urresh dikë është një barrë shumë e rëndë”, ka thënë ai për The Telegraph.

Ai shton se për të pasur urrejtje ndaj dikujt, më parë duhet të kesh ndjenja për të.

“E vërteta është se nuk do ta lejoj veten të urrej, sepse për të urrejtur, duhet të më interesojë së pari. Dhe nuk më intereson. Për çfarë duhet të më interesojë? Që më kanë bërë padrejtësi? Plot njerëz pësojnë padrejtësi”.

I pyetur pse vendosi të shkojë në gjyq, Depp ka thënë se nuk mund ta lejonte një gënjeshtër të përcaktonte fatin e tij në kinematografi.

“Nuk doja që një gënjeshtër të bëhej faktori vendimtar për të më mbyllur dyert e Hollywoodit”, ka thënë ylli.

Aktori, i cili është rikthyer në ekran pas disa vitesh izolimi nga industria, thotë se ka nxjerrë mësime të mëdha nga gjithë kjo përvojë.

“Të kalosh nëpër të gjitha ato gjëra në kohë reale, gjë që zgjati shtatë apo tetë vjet, ishte udhëtim i ashpër, i dhimbshëm dhe i brendshëm. A do të preferoja të mos e kisha përjetuar? Patjetër. Por mësova shumë më shumë nga sa kisha imagjinuar”, ka thënë tutje ai.

Në një intervistë tjetër për The Hollywood Reporter, Depp e ka përshkruar këtë periudhë si “shkretëtirë”.

“Ishte shkretëtirë e gjerë, dhe në fund, ajo më mësoi shumë”, pati thënë ai.

I pyetur çfarë ka mësuar, ai ka treguar se i kujton të gjithë artikujt negativë dhe se si të gjithë ishin kundër tij.

“Disa ishin të dhimbshëm, disa të çmendur, disa edhe qesharakë. Por... ndodhi. E përjetova. Mësova”, ka thënë aktori.