Showbiz

Joaquin Phoenix dhe Rooney Mara në pritje të fëmijës së parë

Aktori i shpërblyer me “Oscar”, Joaquin Phoenix dhe e fejuara e tij, Rooney Mara, janë në pritje të fëmijës së parë. Kështu kanë bërë të ditur mediat dhe portalet e showbizit.

Ylli i filmit shumë të suksesshëm në arkat filmike “Joker”, dhe aktorja e filmave “Carol” dhe “The Girl With the Dragon Tattoo”, njihen si një çift i showbizit që e gëzojnë një jetë personale shumë private. Aktualisht, ata janë në karantinë në shtëpinë e tyre në Los Angeles, ku po qëndrojnë deri në përmirësimin e situatës së shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, transmeton Koha.

Uebfaqja për të famshëm “Page Six” duke e cituar një burim të afërt të çiftit ka raportuar se thashethemet për shtatzëni janë të vërteta, kjo pasi Mara ishte spikatur në rrugë e veshur me rroba të gjera në përpjekje për ta fshehur barkun e saj të fryrë. Po ashtu, ky burim citohet të ketë thënë se aktorja është në muajin e gjashtë të shtatzënisë.

Deri më tani zëdhënësit e aktorëve të njohur të Hollywoodit nuk e kanë konfirmuar lajmin.

Çifti, Phoenix dhe Mara, ishin takuar në sheshin e xhirimeve të filmit të regjisorit Spike Jonze, “Her”, por e kishin filluar lidhjen romantike pas paraqitjes në projektin kinematografik të vitit 2018, “Mary Magdalene”. Në këtë film, Mara e luan rolin protagonist krahas Phoenixit i cili e portretizon Jesusin.