Ylli i Late Night Show, Jimmy Kimmel, do të vazhdojë bashkëpunimin me televizionin ABC, i cili është nën pronësi të gjigandit Disney edhe për të paktën një vit tjetër, duke garantuar që emisioni “Jimmy Kimmel Live!” të qëndrojë në ekran deri në muajin maj të vitit 2027.
Një burim i afërt me marrëveshjen i ka thënë CNN-it se Kimmel ka nënshkruar zgjatje kontrate njëvjeçare, e cila vjen ndërkohë që kontrata e tij aktuale skadon në muajin maj të vitit 2026. ABC nuk ka dhënë ende koment zyrtar.
“Kam kënaqësinë të njoftoj edhe një vit tjetër pa asnjë talent!”, ka shkruar Kimmel në Instagram mbrëmjen e së hënës, me humorin që e karakterizon.
Më herët gjatë këtij viti, Kimmel u gjend në qendër të polemikave politike në SHBA, kur drejtuesit e ABC-së e hoqën përkohësisht emisionin nga transmetimi në vjeshtë, pas një monologu ku ai komentoi rastin e vrasësit të dyshuar të Charlie Kirk.
CNN pati raportuar në atë kohë se Disney ishte gjithmonë “shpresëplotë” për rikthimin e emisionit, duke përmendur marrëdhënien e ngushtë të Kimmel me drejtues të rëndësishëm të kompanisë.
Kimmel shpesh ka qenë një figurë që ka ndarë opinionin publik për shkak të qëndrimit të tij të drejtpërdrejtë dhe kritik ndaj presidentit Donald Trump. Megjithatë, ai gëzon një reputacion shumë të dashur në industrinë e argëtimit, si i vetmi prezantues i emisioneve të vonshme që xhirohet në Los Angeles, çka e ka bërë mik të afërt të shumë yjeve që janë mysafirë të shpeshtë në emisionin e tij.
Kur emisioni u hoq përkohësisht nga programi, shumë figura të Hollywoodit dolën hapur në mbështetje të Kimmelit dhe bojkotuan Disneyn.
Për vite me radhë, Kimmel ka folur publikisht për dilemat e tij se sa gjatë do të vazhdojë me emisionin, duke lënë të hapur mundësinë e tërheqjes në të ardhmen. Megjithatë, ai mbetet një nga figurat kryesore të Disneyt, me një lidhje disa dekadëshe si një nga fytyrat më të rëndësishme të ABC-së.
Përveç “Jimmy Kimmel Live!”, ai ka prezantuar disa herë ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Oscar” dhe së fundmi ka fituar një çmim Emmy për prezantimin e emisionit “Kush do të bëhet milioner?”.