Showbiz

Jimin nga “BTS” e lansoi këngën e re si solo-artist

Anëtari i grupit “BTS”, Jimin, e ka publikuar këngën e re si solo këngëtar, “Set Me Free Pt.2”.

Projekti është pjesë e albumit të tij të parë solo, i cili e mban titullin “FACE” dhe do të jetë në dispozicionin e publikut mbarë botëror nga 24 marsi.

“Set Me Free Pt.2” është një këngë e zhanrit hip-hop e cila vjen e shoqëruar me videoklip. Koreografinë e vallëzimit të tij dhe këngëtarëve shoqërues e ka bërë vet këngëtari nga Korea Jugore.

Disa prej videoprojekteve solo të Jiminit janë: “Lie”, “Serendipity” dhe “VIBE”, ku ai shërbeu si artist mysafir në këngën e artistit, Taeyang.

Kujtojmë se në fund të vitit të kaluar, kompania diskografike e grupit të muzikës K-Pop, “BTS”, bëri të ditur se shtatë anëtarët e grupit po planifikonin të kryenin shërbimin ushtarak.

Pak muaj më parë, bendi shumë i dashur nga publiku anembanë botës i informoi fansat se do të pauzojnë përkohësisht nga muzika, dhe se shtatë anëtarët e tij do të fokusohen në krijimin e karrierës si solo artistë. Ata pritet të rikthehen si “BTS” diku rreth vitit 2025.