Ribashkimi i tyre është më se i mirëpritur nga fansat anekënd botës. Grupi i muzikës K-Pop i përbërë nga shtatë anëtarë, “BTS”, do të kthehet në pranverën e vitit 2026 me një album të ri, dhe një turne nëpër botë.
Anëtarët Jin, RM, V, Jimin, J-Hope, Junk Kook dhe Suga, e bënë të ditur lajmin të martën gjatë transmetimit të drejtpërdrejt në “Weverse”, një platformë online për fansat, e cila është në pronësi të kompanisë që menaxhon grupin “BTS”. Ishte hera e parë që të shtatë anëtarët u shfaqën së bashku, që nga shtatori i vitit 2022.
“Do të publikojmë një album të ri, pranverën e vitit të ardhshëm. Duke filluar nga korriku, të gjithë ne do të punojmë së bashku në muzikën tonë të re. Meqë do të jetë një album grupi, do të reflektojë mendimet dhe idetë tona të përbashkëta. Po i qasemi albumit me të njëjtin mentalitet që kishim kur e filluam këtë rrugëtim”, thuhet në njoftimin e grupit.
Sipas një njoftimi për media, grupi do të jetë në SHBA këtë muaj që të fillojë punën rreth incizimit të ri.
Projekti i ardhshëm muzikor do të jetë i pari për ta, që nga albumi i lansuar në vitin 2022, “Proof”, albumi përmbledhës i vitit 2021 me këngë në gjuhë japoneze, “BTS, the Best”, dhe albumi i fundit i grupit i incizuar në studio, “Be”, i cili u publikua në vitin 2020.
Djemtë e grupit po ashtu paralajmëruan një turne nëpër botë, i pari në katër vjetët e fundit. Lajmi erdhi disa javë pasi superyjet e “BTS”, RM, V, Jimin dhe Jung Kook, u liruan nga ushtria e Kores së Jugut pasi përmbushën shërbimin e tyre të detyrueshëm.
Në Korenë Jugore, të gjithë djemtë nga mosha 18 deri në 28 vjeç, janë të detyruar me ligj të shërbejnë në ushtri për 18 deri në 21 muaj. Gjashtë nga shtatë anëtarët e grupit kanë shërbyer në ushtri, ndërsa Suga përmbushi detyrën e tij si agjent i shërbimit social, një alternativë ndaj shërbimit ushtarak.