Ylli i famshëm, Jennifer Lopez, parakaloi mbi qilimin e kuq të shtruar për premierën e filmit “The Mother” në Los Angeles. Ajo shoqërohej nga bashkëshorti, Ben Affleck, dhe aktorët e kastës së filmit të realizuar nga Netflixi. Para gazetarëve ajo tregoi se si është mbështetur në eksperiencën e saj si valltare dhe nënë, për ta realizuar sa më mirë rolin e saj në këtë projekt.
Aktorja përveç si protagoniste vjen edhe në rolin e producentes së këtij filmi, kurse regjinë e tij e ka bërë Niki Caro.
“Mua më pëlqejnë filmat aksion. Nga natyra jam person atletik dhe jam valltare, prandaj më pëlqen angazhimi fizik. Filmat e tillë janë goxha sfidues dhe dinë të jenë të vështirë për t’i realizuar. Si aktorë, ne jemi të detyruar që për një muaj të mësojmë të bëjmë gjëra, të cilat njerëzit e tjerë i kanë bërë gjatë gjithë jetës, dhe duhet të dukemi sikur jemi ekspertë të një fushe apo profesioni të caktuar. Kjo gjë është gjithmonë sfiduese prandaj duhet të jesh i përkushtuar në atë që e bënë dhe ta marrësh punën seriozisht. Por, për mua, e gjithë kjo eksperiencë ishte shumë argëtuese”, tha aktorja.
Në film Lopez e portretizon një vrasëse, e cila detyrohet të kthehet në këtë profesion nga i cili kishte hequr dorë, në mënyrë që ta mbrojë vajzën e saj, të cilën e kishte dhënë për adoptim para shumë vjetëve.
Ajo deklaroi se përvoja e saj si nënë e bëri rolin më domethënës për të.
“Në të vërtetë ky film flet për një grua e cila fillon ta praktikojë rolin e nënës shumë vjet pasi e jep vajzën për adoptim, me qëllim për ta mbajtur atë të sigurt. Dhe kjo më bëri të mendoj rreth asaj se çfarë do të thotë të jesh nënë e mirë, dhe si kjo mund të jetë ndryshe për secilin person. Nuk mendoj se ekziston një version specifik i nënës së përkryer. As unë nuk jam një nënë e zakonshme”.
Krahas Lopezit në këtë projekt luajnë edhe aktorët, Joseph Fiennes, Lucy Paez, Omari Hardwick, Paul Raci dhe Gael Garcia Bernal.
“The Mother” ka filluar së shfaquri në Netflix nga 12 maji.