Showbiz

Jennifer Lopez ka thënë se nuk do të martohet më

Jennifer Lopez

Jennifer Lopez

Foto: Associated Press

Këngëtarja e njohur me prejardhje latine, Jennifer Lopez, ka thënë se nuk e ka ndërmend të martohet sërish.

Gjatë koncertit të saj në kuadër të turneut evropian “Up All Night”, të martën më 15 korrik në Bilbao të Spanjës, ajo reagoi ndaj një pankarte në publik ku shkruhej: “J.Lo, martohu me mua?”

“Mendoj se kam mbaruar punë me martesa. E kam provuar disa herë”, dëgjohet të thotë Lopez, në një video të shpërndarë nga një fans në rrjetin X, ka raportuar People.

Këngëtarja e hitit “On The Floor” është martuar disa herë gjatë jetës së saj. Fillimisht me aktorin Ojani Noa (1997–1998), pastaj me koreografin Cris Judd (2001–2003) dhe më pas me këngëtarin Marc Anthony në vitin 2004. Çifti u divorcua në vitin 2014 dhe kanë dy fëmijë binjakë, Emme dhe Max, tani 17-vjeçarë.

Lopez nisi një lidhje me ish-yllin e bejsbollit Alex Rodriguez, në vitin 2017 dhe ata u fejuan në vitin 2019, por u ndanë në vitin 2021.

Në të njëjtin vit, ajo rifilloi romancën me aktorin Ben Affleck, me të cilin kishte qenë e fejuar më parë nga nëntori i vitit 2002 deri në janar të 2004. Çifti u martua në Las Vegas në vitin 2022 dhe më pas e festuan martesën me një ceremoni të vogël në Georgia. Megjithatë, Lopez kërkoi divorc pas dy vitesh dhe procedura përfundoi në janar të këtij viti.

Më 2 korrik, Lopez (54) dhe Affleck (52) e hoqën nga tregu shtëpinë e përbashkët në Beverly Hills, pasi nuk kishin arritur ta shisnin për më shumë se një vit.

“Ndërkohë që po përpiqeshin ta shisnin pronën, hezitonin të pranonin humbje të madhe financiare. E ulën çmimin për të tërhequr më shumë interes, por kur kjo nuk ndodhi, u këshilluan ta hiqnin nga tregu. Ishte një vendim biznesi që e morën bashkë”, ka thënë një burim për revistën People.