Ylli i njohur i showbizit dhe filmit, Jennifer Lopez, e ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me platformën digjitale Netflix.
Këngëtarja dhe aktorja 51-vjeçare do t’i prodhojë disa emisione televizive dhe projekte filmike për platformën e njohur, përmes kompanisë së saj “Nuyorican Productions” përgjatë një periudhe disa vjeçare, me ç’rast në fokus do ta ketë prezantimin e aktorëve, shkrimtarëve dhe kineastëve të ndryshëm.
Bela Bajaria, udhëheqësja e divizionit televiziv në Netflix, e lavdëroi yllin e filmit “Hustlers” duke e quajtur një talent të veçantë.
“Lopez është një grua shumë e talentuar, kreativiteti dhe vizioni i së cilës e kanë mbërthyer publikun dhe kanë inspiruar gjeneratat e reja anembanë botës. Për vite të tëra, ajo dhe ekipi i saj në kompaninë ‘Nuyorican’ kanë sjellë zë të veçantë në skenën e showbizit dhe unë mezi pres që të punoj me ta për të krijuar seriale dhe emisione të reja, të cilat abonentët tanë do të mund t’i shijojnë”.
Kurse Scott Stuber, udhëheqës i divizionit të filmit në platformën Netflix, deklaroi: “Gjatë gjithë aspekteve të karrierës së saj, Jennifer Lopez ka qenë një forcë në skenën e showbizit. Duke bashkëpunuar me të dhe kompaninë ‘Nuyorican’, ne jemi të vetëdijshëm se do të vazhdojmë të sjellim tregime me ndikim, argëtuese dhe inspiruese, për publikun anembanë botës”.
Lopez dhe partnerët e saj të produksionit, Benny Medina dhe Elaine Goldsmith-Thomas, e cila është president e kompanisë “Nuyorican”, janë shprehur të lumtur për këtë marrëveshje të re me Netflixin.
Ylli i hitit “On the Floor” në një deklaratë për media tha: “Jam shumë e lumtur ta bëjë publik bashkëpunimin tim të ri me Netflixin. Elaine, Benny dhe unë besojmë se nuk ka shtëpi më të mirë për ne, sesa një kompani e cila shquhet për krijimin e përmbajtjes që synon ta sfidojë mençurinë konvencionale dhe të tregtojë drejtpërdrejt me miliona njerëz anembanë globit, të cilët nuk e shikojnë më artin dhe botën e showbizit me syrin kufizues siç ka ndodhur në të kaluarën. Ne në kompaninë ‘Nuyorican Productions’ jemi shumë të lumtur që kemi gjetur partner me vizion të ngjashëm tek Ted Sarandos, Scott Stuber, Bela Bajaria dhe i gjithë ekipi i Netflixit. Mezi po presim t’ia fillojmë punës menjëherë”.
Jennifer Lopez aktualisht është duke ushtruar për rolin e saj në filmin e ardhshëm të Netflixit, “The Mother”, xhirimet e së cilit do të fillojnë kah fundi i këtij viti dhe ku ajo e portretizon një vrasëse të rrezikshme. Aktorja 51-vjeçare i është bashkuar kastës së filmit të ardhshëm të Niki Caros, si dhe shërben në rolin e bashkë-producentes së këtij projekti të realizuar për platformën gjigante. Në film, JLo e portretizon një vrasëse e cila detyrohet të kthehet në këtë profesion nga i cili kishte hequr dorë, në mënyrë që ta mbrojë vajzën e saj, të cilën e kishte dhënë për adoptim para shumë vjetëve.
Filmi “The Mother” thuhet se bazohet pjesërisht në projektin klasik të, Luc Bessonit, të lansuar në vitin 1994, “The Professional”, si dhe planifikohet të fillojë së transmetuari në Netflix, kah fundi i vitit 2022.