Aktorja, Jennifer Lawrence, ka thënë se e sheh veten si amvise, ani pse vazhdon të punojë në filma.
Ajo ka shpjeguar se gjatë vitit ka vetëm disa javë shumë të ngarkuara me punë, kryesisht gjatë xhirimeve dhe turneve promovuese, ndërsa pjesën tjetër të kohës jeton një jetë të qetë familjare.
Ylli i filmit “Die My Love”, e cila me bashkëshortin Cooke Maroney ka një djalë trevjeçar, Cy, dhe një fëmijë tjetër të lindur vitin e kaluar, foli për këtë në podcastin “Smartless”, ka raportuar FemaleFirst.
“Kjo jam unë. Unë identifikohem si një nënë shtëpiake. Por sigurisht që edhe punoj. Nuk jam mësuar të jem e zënë gjithë kohën. Zakonisht jam e angazhuar për rreth tre muaj gjatë xhirimeve, por edhe atëherë jeta është e qetë, sepse nuk ka asgjë tjetër për të bërë”, ka thënë ajo.
Ylli ka shtuar se rutina e saj është shumë e thjeshtë.
“Shkoj në punë, kthehem në shtëpi, fle dhe e përsëris të njëjtën gjë. Vetëm rreth dy javë gjatë promovimeve janë vërtet kaotike”, ka thënë ajo.
Lawrence ka pranuar gjithashtu se nuk jep intervista pas orës 21:00, sepse atëherë është gati për të fjetur.
“Unë jam në shtrat. Kindle është i ndezur deri rreth orës 9:15 dhe pastaj ndalet”, ka thënë ajo me humor.
Gjatë festave të fundvitit, aktorja ka refuzuar një ftesë për një festë që fillonte në orën 21:00, pasi nuk donte të ishte e lodhur ose me pasoja nga alkooli shkaku i fëmijëve.
“Nuk mund të jesh e lodhur apo e dehur me një foshnjë nëntëmuajshe. Edhe me një fëmijë trevjeçar, thjesht nuk është opsion”, u shpreh ajo.
Në intervistë, 35-vjeçarja ka folur edhe për martesën e saj me Cooke Maroney, duke treguar se çifti ka gjetur mënyrën për ta mbajtur lidhjen “gjallë”, pavarësisht se janë shumë të ndryshëm.
“Unë u martova me dikë që është krejt e kundërta ime. Ai është shumë i organizuar. Gjithçka është e rregulluar. Fëmijët janë në një orar shumë strikt. Mëngjesi, për shembull, është në orën 7:30”, ka thënë Lawrence.
Ajo ka treguar se bashkëshorti i saj është shumë i përpiktë me oraret, ndërsa ajo ka nevojë për pak fleksibilitet.
“Për ta mbajtur martesën tonë gjallë, kemi mësuar që unë të kem një hapësirë prej 15 minutash tolerancë”, ka thënë ajo.
Aktorja ka shtuar se vuan nga çrregullimi i mungesës së vëmendjes (ADD), gjë që e bën të vështirë respektimin e orareve strikte.
“Mendoj se duhet të shkoj në terapi profesionale për këtë”, ka thënë ajo.