Vitin e kaluar, Festivali i Filmit në Cannes solli tri aktore të nominuara për çmimin “Oscar”.
Për sivjet Agjencia e lajmeve Associated Press ka shkruar se aktorja Jennifer Lawrence mund të jetë një tjetër pretendente serioze për këtë çmim, pas premierës së filmit “Die, My Love”, të regjisores Lynne Ramsay.
Në këtë dramë të fuqishme psikologjike, Lawrence dhe aktori Robert Pattinson luajnë një çift të martuar me një foshnje të porsalindur që shpërngulen në një shtëpi të vjetër në fshat. Lawrence portretizon Gracen, një nënë e re që përballet me depresion të thellë pas lindjes, një krizë që shndërrohet në episode halucinacionesh dhe dhunë.
“E kisha shumë të vështirë të ndaja atë që do të bëja unë vetë, nga ajo që do të bënte Grace. Sapo kisha lindur fëmijën tim të parë, dhe nuk ka ndjesi tjetër si paslindja. Është një përvojë jashtëzakonisht izoluese. Ajo nuk ka komunitet. Nuk ka njerëzit e saj. Por e vërteta është se ankthi dhe depresioni ekstrem të izolojnë, kudo që të jesh. Ndihesh si të jesh jashtëtokësor”, u tha Lawrence gazetarëve të dielën në Kanë.
Filmi është në garë për çmimin më të madh të festivalit Cannes, “Palma e Artë”, dhe ishte një nga premierat më të pritura të edicionit. Kjo falë edhe reputacionit të regjisores skoceze Ramsay, e njohur për filmat “Ratcatcher” (1999), “Movern Callar” (2002) dhe “You Were Never Really Here” (2017).
VIDEO - TRAILER: “Die, My Love”
Lawrence ka treguar se ishte vetë ajo që i kërkoi Ramsayn ta bënte filmin.
“Kam dashur të punoj me Lynne Ramsay që kur pashë ‘Ratcatcher’, dhe mendova me vete se ‘nuk ka shans.’ Por vendosëm të rrezikonim dhe ia dërguam skenarin. Dhe tani nuk e besoj që jam këtu me të”.
Bazuar në romanin e vitit 2017 nga Ariana Harwicz, “Die, My Love” është një përvojë tronditëse dhe e çorientuar, e mbushur me impulse shtazarake dhe shpërthime të dhunshme manie. Si portret i një martese në krizë, e bën shfaqjen teatrale “Who’s Afraid of Virginia Woolf?” të duket si një dramë e lehtë.
Filmi u ble menjëherë të dielën nga platforma Mubi, e cila pagoi 24 milionë dollarë për të drejtat e shpërndarjes në SHBA dhe disa shtete të tjera, marrëveshja më e madhe nga filmat e këtij festivali deri më tani.
Ajo që po bën më shumë bujë në Cannes është pikërisht interpretimi i Lawrence, që po cilësohet si i jashtëzakonshëm dhe potencialisht i denjë për një tjetër nominim për Oscar. Deri më tani, ajo është nominuar katër herë nga Akademia e Filmit dhe ka fituar çmimin për filmin “Silver Linings Playbook” në vitin 2013.
Që atëherë, shumëçka ka ndryshuar për aktoren 34-vjeçare, përfshirë edhe faktin që është bërë nënë.
“Të bëhesh prind të ndryshon gjithçka. Të ndryshon jetën nga themelet. Është brutale dhe e mrekullueshme. Nuk e dija që mund të ndjeja kaq shumë”, ka thënë aktorja.
Ajo ka shtuar se prindërimi ka ndikuar edhe në mënyrën se si luan.
“Puna ime ka të bëjë shumë me ndjenjat, dhe fëmijët më kanë hapur një botë të re. Është pothuajse si të ndihesh si një flluskë, shumë e ndjeshme. Më kanë ndryshuar jetën për mirë dhe më kanë ndryshuar edhe krijimtarinë”, ka thënë tutje ylli.
Edhe Robert Pattinson, i cili gjithashtu është bërë baba së fundmi me partneren, këngëtaren, Suki Waterhouse, ka thënë se të kesh një fëmijë të jep një “burim të pashtershëm energjie dhe frymëzimi”.
Në atë moment, Lawrence u hodh me humor: “Të jep energji?!”
Pattinson qeshi dhe u përgjigj me lodhje: “Kjo është pyetja që një burrë nuk mund të përgjigjet kurrë si duhet”, duke shkaktuar të qeshura në sallë.