Pasi që me sukses e plasoi në ekranet e vogla mockumentarin e tij vampirik “What We Do in the Shadows”, veterani i serisë “Flight of the Conchords”, Jemaine Clement në të njëjtën kohë po punon edhe në karrierën e tij filmike.
Roli më i ri i Clement është ai i biologut detar dr. Ian Garvin në filmat e ri “Avatar”.
Regjisori James Cameron prej kohësh është i zënë duke krijuar vazhdime të reja të filmit më fitimprurës në histori (Avatar ende e mban vendin e parë me 2.7 miliardë dollarë, edhe pse Avengers i është afruar rrezikshëm). Ai planifikon t’i bëjë katër vazhdime, ndërsa aktualisht është duke u fokusuar në të parin dhe së shpejti do të fillojë me xhirimet.
"Për vite e kam ndjekur karrierën e Jemaine dhe jam i ngazëllyer që do t’i bashkohet ekipit tonë të aktorëve si Ian Garvin, një nga personazhet e mi të preferuar", tha Cameron në rrjetet sociale, përcjell KOHA Ditore.
Ngjarja e filmit do të bëjë fjalë për familjen e Jake Sully (Sam Worthington) dhe Neytiri (Zoe Saldana), fiset e tjera të Na'vi dhe kërcënimin e vazhdueshëm të njerëzve. Giovanni Ribisi, Stephen Lang dhe Sigourney Weaver kthehen në rolet e tyre ndërsa atyre u bashkohen Kate Winslet, David Thewlis dhe Cliff Curtis.
Nëse çdo gjë shkon sipas planit, Avatar 2 do të duhet të shfaqet në kinema më 17 dhjetor 2021.