Showbiz

“Avatar: The Way of Water” arrin t’i arkëtojë 2 miliardë dollarë

Siç ka ndodhur disa herë gjatë karrierës së tij filmike, James Cameron, bëri sërish histori gjatë fundjavës që e lamë pas.

Filmi i tij i shumëpritur, “Avatar: The Way of Water”, tashmë ka arritur t’i arkëtojë 2 miliardë dollarë nga shitja e biletave anembanë botës, raporton portali “Deadline”.

Kjo shumë e madhe u arrit pas një performance të shkëlqyer të filmit gjatë fundjavës, që njëherësh e shënon javën e gjashtë të shfaqjes së tij nëpër kinema. Nga publikimi në dhjetor të vitit 2022, vazhdimi i dytë i filmit “Avatar” e ka gëzuar pozitën e parë në arkat filmike të Amerikës Veriore dhe ato ndërkombëtare.

“Avatar: The Way of Water” është vazhdim i filmit epik të vitit 2009, i cili mbetet në krye të listës së filmave më fitimprurës në historinë e kinematografisë. Në vendin e dytë gjendet filmi “Titanic”, po ashtu me regji të James Cameronit, kurse në pozitën e tretë, të katërt dhe të pestë gjenden projektet, “Star Wars: Episode VII - The Force Awakens”, “Avengers: Infinity War” dhe “Avengers: Endgame”.

Cameron është i vetmi regjisor që mund të mburret se tri projekte të realizuara nga ai, janë ndër gjashtë filmat më fitimprurës të të gjitha kohërave dhe të cilët i kanë fituar më shumë 2 miliardë dollarë.

Regjisori po planifikon t’i lansojë të paktën edhe tri vazhdime të tjera të filmit “Avatar”, në vjetët e ardhshme.