“Avatar: The Way of Water” nuk i arriti pritshmëritë e ekspertëve në arkat filmike, në fundjavën e parë të lansimit.
Vazhdimi i dytë i filmit ikonik “Avatar”, i fitoi 134 milionë dollarë nga shitja e biletave nëpër kinematë e Amerikës Veriore dhe 300 milionë dollarë në tregun ndërkombëtarë. Kështu, ky projekt arriti që të debutojë me 434.5 milionë dollarë të arkëtuara anembanë botës.
Kjo shumë është më e vogël se që është pritur nga ekspertët dhe realizatorët e filmit.
Ata kishin parashikuar që në javën e parë të shfaqjes nëpër kinema, “Avatar: The Way of Water” t’i arkëtojë të paktën 150 ose 175 milionë dollarë. Sidoqoftë, ai përfundoi duke u pozicionuar në vendin e katërt të listës së filmave me debutimin më të mirë të vitit, duke u barazuar me filmin “The Batman”. Në vendin e tretë gjendet “Thor: Love and Thunder”, i cili i arkëtoi 144.2 milionë dollarë me t’u lansuar në muajin korrik. “Black Panther: Wakanda Forever” i arkëtoi 181 milionë dollarë në muajin nëntor dhe kështu pozicionohet në vendin e dytë të kësaj liste, kurse filmi me debutimin më të suksesshëm për vitin 2022 mbetet, “Doctor Strange in the Multiverse of Madness”, me 187.4 milionë dollarë të arkëtuara në muajin maj.
Në një intervistë të fundit për revistën “GQ” regjisori i këtij projekti, James Cameron, tha se vazhdimi i dytë i filmit hit të vitit 2009, që shquhet si projekti më i suksesshëm në historinë e kinematografisë, ka kushtuar jashtëzakonisht shumë. Buxheti i realizimit të “The Way Of Water” e kap shifrën prej 350-400 milionë dollarësh, duke u bërë një prej filmave më të shtrenjtë të të gjitha kohëve, krahas projekteve “Avengers: Endgame” dhe “Age Of Ultron”.
Regjisori i famshëm ka pohuar se, në mënyrë që studoja filmike prapa realizimit të këtij vazhdimi të barazohet me investimin, “The Way Of Water” duhet ta ketë një performancë marramendëse në arkat filmike botërore dhe të bëhet një prej tre ose katër filmave me fitimet më të larta në histori.
Aktualisht, pesë filmat më fitimprurës të të gjitha kohërave janë: “Avatar” me 2.9 miliardë dollarë të arkëtuara, “Avengers: Endgame” me 2.7 miliardë dollarë, “Titanic” me 2.2 miliardë, “Star Wars: The Force Awakens” me 2.05 miliardë dhe “Avengers: Infinity War” me 2.04 miliardë dollarë të arkëtuara nga shfaqja nëpër kinematë botërore.
“The Way Of Water” vjen 13 vjet pas filmit origjinal dhe nuk është fundit në serinë e këtyre projekteve. Cameron planifikon ta lansojë vazhdimin e tretë në vitin 2024, dhe të katërtin dy vjet më vonë.
Përveç filmave “Avatar”, James Cameron e ka bërë regjinë edhe të projekteve tjera të suksesshme si, “The Terminator”, “Aliens” dhe “Titanic”. Gjatë karrierës së tij ai i ka fituar edhe tri shpërblime “Oscar”.