Regjisori i filmit të famshëm i “Avatar”, James Cameron, do të bëjë një pauzë nga “universi i Pandorës” për t’iu përkushtuar një projekti të ri emocionues: adaptimin kinematografik të romanit “The Devils” nga shkrimtari Joe Abercrombie.
Cameron, 70 vjeç, ka konfirmuar se kompania e produksionit “Lightstorm Entertainment” ka blerë të drejtat për këtë roman të ri dhe se do ta shkruajë skenarin bashkë me vetë autorin.
“E kam dashur shkrimin e Joet prej vitesh, i kam shijuar të gjitha librat e ciklit epik ‘First Law’, sidomos ‘Best Served Cold’ (E ADHUROJ!), dhe trilogjinë ‘Age of Madness’”, ka shkruar Cameron në Facebook, ka raportuar FemaleFirst.

Ai ka shtuar se personazhet e “The Devil” e kanë shtyrë që të bashkëpunojë me autorin për ta sjellë në ekran.
“Por ishte freskia e botës dhe personazheve në ‘The Devils’ që më shtyu më në fund të blej njërin nga librat e tij dhe të bashkëpunoj me të për ta sjellë në ekran. Mezi pres të zhytem në këtë projekt teksa përmbyll punën me ‘Avatar: Fire and Ash’. Do të jetë sfidë e re, e gëzueshme, për të sjellë në jetë këto personazhe të paharrueshëm”, ka thënë Cameron.
“The Devils” është një fantazi e errët që ndjek një forcë speciale përbindëshash që përpiqen të shpëtojnë Evropën nga elfët që ushqehen me mish njerëzor.
Vetë Abercrombie ka shprehur entuziazmin për bashkëpunimin.
“Nuk mendoj se ka ndonjë njeri më të përshtatshëm se James Cameron për ta sjellë këtë libër të çuditshëm dhe të mrekullueshëm në ekran”, ka thënë ai.
Ndërkohë, Cameron është në fazën përmbyllëse të punës për filmin e tretë të “Avatarit”, “Fire and Ash”, i cili pritet të dalë në muajin dhjetor të këtij viti. Filmat e katërt dhe të pestë janë planifikuar për vitet 2029 dhe 2031.
Në një intervistë për Empire Magazine, regjisori ka pranuar se kishte “shumë ide të mëdha” në filmin e dytë “Avatar: The Way of Water”, që zgjaste plot tre orë e 12 minuta. Por për të tretin, ka thënë se ka shkuar edhe më tej.
“Në thelb, kishim shumë ide fantastike të ngjeshura në aktin e parë të filmit të dytë. Filmi po lëvizte si një tren me shpejtësi të lartë dhe nuk po ndaleshim mjaftueshëm tek personazhet. Kështu që u thashë ekipit: ‘Duhet ta ndajmë’”, ka thënë ai.
Skenaristja Amanda Silver ka shtuar se filmat nuk janë vetëm spektakël vizualë.
“Këta filma janë shumë më tepër sesa një rrëfim i furishëm dhe bukuri pamore. Janë mbi gjithçka histori me personazhe të vërtetë”, ka thënë ajo.
Cameron ka treguar se ka organizuar shfaqje private për disa persona të zgjedhur, dhe reagimi për filmin e tretë ka qenë premtues.
“U kam treguar disa njerëzve të përzgjedhur dhe reagimi ka qenë… është ndoshta më emocionali dhe ndoshta më i miri nga tre filmat. Do ta shohim, por ndihem mjaft mirë për të”, ka thënë ai.