Aktorja e njohur, Jamie Lee Curtis, mendon se reagimi i saj me lot ndaj vrasjes së Charlie Kirkut është “keqinterpretuar”, pasi ajo nuk po shprehte mbështetje për pikëpamjet e tij politike, të cilat shpesh kanë qenë kontroverse.
66-vjeçja u emocionua gjatë paraqitjes në podcastin “WTF with Marc Maron”, menjëherë pas vrasjes së aktivistit konservator amerikan muajin e kaluar, por ka mohuar se po e mbështeste Kirkun ose qëndrimet e tij.
“Një pjesë e asaj që u publikua u keqinterpretua, sikur po i uroja të mirat, si të isha duke folur për të në mënyrë shumë pozitive, gjë që nuk ishte e vërtetë; unë thjesht po flisja për besimin e tij në Zot. Pra, ishte një keqinterpretim, në kuptimin e plotë të fjalës, por edhe si lojë fjalësh”, ka thënë ajo për Variety.
Ajo ka shtuar se në ditët e sotme, nuk mund të mbash dy ide në të njëjtën kohë.
“Unë nuk mund të jem hebre dhe të besoj plotësisht në të drejtën e Izraelit për të ekzistuar, dhe në të njëjtën kohë të refuzoj shkatërrimin e Gazës. Nuk mund ta thuash këtë, sepse të dënojnë për faktin që ke një mendje që thotë ‘unë mund t’i mbaj të dyja këto mendime’. Mund të jem kontradiktore në këtë mënyrë”, ka thënë ajo
Aktorja e filmave “Halloween” ka shpjeguar se ndihet mirë që është e drejtpërdrejtë dhe nuk ka ndërmend të jetë e kujdesshme kur shpreh mendimet e saj.
“Nuk kam pse të jem e kujdesshme. Nëse do të isha e kujdesshme, nuk do t’ju kisha thënë asnjërën nga këto që sapo ju thashë. Do të kisha thënë thjesht: ‘Përshëndetje, mirë se erdhe. Kam pjekur bukë me banane. Ja qeni im. Ja shtëpia ime, e të tjera’. Por unë nuk mund të mos jem ajo që jam”, ka thënë ylli.
Jamie është vajza e aktorëve të njohur të Hollywoodit, Tony Curtis dhe Janet Leigh, por pranon se aktrimi ka qenë një rrugë e rastësishme për të.
Ylli i filmit “Freaky Friday” ka thënë se në adoleshencë ishte pak e çuditshme.
“Në moshën 16-vjeçare isha plot energji dhe personalitet, por pa ndonjë inteligjencë të veçantë. Nuk isha sportiste, as pjesë e shfaqjeve teatrale. Dhe aktore u bëra krejt rastësisht”, ka thënë ajo.
Roli i saj si Laurie Strode në projektin filmik “Halloween” ka përcaktuar gjithë karrierën e saj, por ajo e mori atë rol vetëm pasi ishte pushuar nga komedia afatshkurtër “Operation Petticoat”.
“Sikur të mos më kishin pushuar nga puna, kurrë s’do të kisha shkuar në audicion për ‘Halloween’, i cili pastaj u bë diçka e rëndësishme, apo jo? Dhe më pas ndodhi gjithë pjesa tjetër e jetës sime”, ka thënë ajo.