Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Jack Harlow befason fansat me albumin “Jackman”

Jack Harlow ka qëndruar larg vëmendjes së publikut dhe mediave këto muajt e fundit, të paktën sa i përket muzikës. Në vend të kësaj, reperi i hitit “Industry Baby” është fokusuar i tëri në ndërtimin e një karriere filmike.

Artisti amerikan pritet që shumë shpejtë të luajë në ripërpunimin e filmit klasik, “White Men Can’t Jump”, nga platforma Hulu. Por, ky nuk do të jetë projekti i vetëm i tij si aktor.

Prandaj, lajmi se Harlow po e lansonte një album të ri më 28 prill, të titulluar “Jackman”, erdhi si shok total për adhuruesit e reperit.

Paralajmërimin rreth projektit, Harlow e bëri vetëm dy ditë para lansimit, prandaj nuk kishte shumë informata rreth tij. Publiku nuk dinte asgjë. Nuk kishte asnjë informacion në lidhje me prodhimin e albumit, veçoritë, listën e këngëve, artistët bashkëpunëtor apo edhe temat që trajtohen në këngë. Albumi i tij i fundit, “Come Home The Kids Miss You”, nuk u prit aq mirë dhe ndoshta arsyeja pse Harlow vendosi t’i mbante gjërat të fshehta, është se nuk donte të ngarkohej me pritshmëritë.

Një gjë është e sigurt, ky album definitivisht nuk përmban ndonjë këngë të stilit ‘komercial’ në të. Është jashtëzakonisht i shkurtër, me 10 këngë që vijnë në vetëm 25 minuta. Sidoqoftë, kushdo që dëshiron diçka jashtëzakonisht autentike nga reperi, do të jetë shumë i kënaqur me publikimin e ri. Secila këngë prek tema të rëndësishme si, privilegji i të bardhëve, marrëdhëniet racore, realitetet e famës, madje edhe zbulimi se miqtë tuaj mund të jenë njerëz të tmerrshëm.

Si reper i racës së bardhë, Jack Harlow shpesh veçohet nga fansat e këtij zhanri të muzikës. Megjithatë, ai flet shumë hapur për realitetet e privilegjit të bardhë dhe obsesionin me kulturën e zezë në komunitetin e tij.