Showbiz

Hidhet poshtë padia e Drakes ndaj Kendrick Lamarit për këngën “Not Like Us”

Drake dhe Kendrick Lamar

Drake dhe Kendrick Lamar

Gjykata ka rrëzuar padinë që reperi kanadez Drake kishte ngritur kundër shtëpisë së tij diskografike, Universal Music Group (UMG), për këngën “Not Like Us” të Kendrick Lamarit, këngë që përfshinte disa akuza të ashpra ndaj tij, ka raportuar BBC.

Në New York, gjykatësja, Jeannette Vargas, ka vendosur të enjten (9 tetor) se “lufta e ashpër me fjalë” mes dy reperëve ishte pjesë e një “beteje të nxehtë rapi” dhe nuk përbënte shpifje.

“Edhe pse akuza se Drake është pedofil është padyshim shumë serioze, konteksti më i gjerë i një beteje rapi, me gjuhë ndezëse dhe akuza fyese nga të dyja palët, nuk do ta bënte dëgjuesin e arsyeshëm të besonte se ‘Not Like Us’ paraqet fakte të verifikueshme për Draken”, ka shkruar në vendimin e saj gjykatësja.

Në këngë, Lamar e quan Draken një “pedofil të certifikuar” që duhet “vendosur në vëzhgim lagjeje”, por gjykata e cilësoi këtë si pjesë të hiperbolës artistike që shoqëron përplasjet mes reperëve.

Pas vendimit, Universal Music Group u shpreh e kënaqur me rezultatin dhe theksoi se do të vazhdojë bashkëpunimin me artistin.

“Që nga fillimi, kjo padi ka qenë një fyerje për të gjithë artistët dhe shprehjen e tyre krijuese, dhe nuk do të duhej të kishte arritur kurrë në gjykatë. Jemi të kënaqur me vendimin për ta hedhur poshtë dhe mezi presim të vazhdojmë bashkëpunimin me Drake në promovimin e muzikës së tij”, ka deklaruar kompania.

Megjithatë, përfaqësuesit e reperit të hitit “Hotline Bling”  kanë paralajmëruar se do ta apelojnë vendimin.

“Ne synojmë të apelojmë vendimin e sotëm dhe presim që Gjykata e Apelit ta shqyrtojë rastin”, kanë deklaruar përfaqësuesit e Drakes.

Nga ana tjetër, UMG kishte kërkuar më herët që padia të hidhej poshtë duke argumentuar se vetë Drake “e kishte nxitur” përplasjen me Kendrickun dhe “pasi humbi një betejë që e kishte provokuar vetë”, vendosi “të padiste shtëpinë e tij diskografike në një përpjekje të gabuar për të shëruar plagët”.

Në dokumentet e dorëzuara, kompania theksonte se kënga “Not Like Us” përmbante fyerje të ekzagjeruara, por edhe vetë Drake kishte përdorur platformën e tyre për të promovuar këngë që “sulmonin në mënyrë të ngjashme” rivalin e tij.

“Drake e nxiti përplasjen. Për shembull, kur mendonte se Lamar po vonohej të përgjigjej, ai publikoi një këngë të dytë për ta provokuar që të vazhdonte betejën publike. Lamar e bëri pikërisht këtë, dhe bashkë, të dy publikuan gjithsej nëntë këngë duke sulmuar njëri-tjetrin”, thuhej në dosje.

Në dokumente theksohej gjithashtu se Drake ishte “i kënaqur” kur UMG promovoi këngë që akuzonin Lamarin për dhunë në familje dhe pretendonin se “njëri nga partnerët e biznesit të Lamar është babai i vërtetë i djalit të tij”.

Kënga "Not Like Us" nga Kendrick Lamar: