Aktorja e njohur britanike, Helen Mirren, ka deklaruar se roli i James Bond duhet të vazhdojë të interpretohet nga një burrë, edhe pse ajo e konsideron veten feministe të fortë.
“Jam shumë feministe, por James Bond nuk mund të jetë grua. Thjesht nuk funksionon. James Bond duhet të mbetet James Bond, përndryshe shndërrohet në diçka tjetër”, ka thënë fituesja e çmimit “Oscar” në një intervistë për Saga Magazine, ka raportuar BBC.
Studioja “Amazon MGM” po përgatit filmin e ardhshëm të sagës së famshme, që do të jetë i 26-i me radhë, me skenar të shkruar nga krijuesi i serialit “Peaky Blinders”, Steven Knight.
Kompania amerikane ka deklaruar më herët se do të sjellë një qasje të re, por gjithashtu do ta ruajë “trashëgiminë e këtij personazhi ikonik”.
Mirren, 80 vjeç, aktualisht luan përkrah ish-James Bondit, aktorit Pierce Brosnan në filmin e shumëpritur “The Thursday Murder Club”, ku ajo interpreton një spiune të dalë në pension.
Edhe Brosnan, 72 vjeç, ndan të njëjtin mendim si Mirren sa i përket James Bondit.
“James Bond duhet të luhet nga një burrë dhe jam i emocionuar të shoh energji dhe jetë të re për këtë personazh”, ka thënë ai për revistën.
Ai ka qenë pjesë e katër filmave të Bondit, duke nisur me “GoldenEye” në vitin 1995 dhe duke përfunduar me “Die Another Day” në vitin 2002.
Vetë Mirren, në deklarata të mëparshme, ka pranuar se koncepti i James Bond “lindi nga një seksizëm i thellë”, por thekson se gratë kanë qenë gjithmonë “pjesë jashtëzakonisht e rëndësishme e shërbimit sekret”.
Ideja që Bond të luhet nga një grua është kundërshtuar edhe nga aktorë të tjerë.
Aktorja, Halle Berry, e cila ishte pjesë e “Die Another Day”, ka thënë në Festivalin e Cannesit këtë vit nuk është e sigurt nëse ky rol duhet t’i jepet një gruaje.
“Në vitin 2025, është bukur të thuhet ‘Le të jetë grua’. Por, nuk jam e sigurt nëse kjo është gjëja e duhur për t’u bërë”, ka thënë Berry.
Franshiza James Bond ka qenë në pronësi të familjes Broccoli për më shumë se 60 vjet, por producentët Barbara Broccoli dhe Michael G. Wilson ia shiten të drejtat kreative “Amazonit” për rreth 1 miliard dollarë më herët këtë vit.
Ndërkohë, spekulimet për aktorin e ardhshëm që do të luajë agjentin 007 janë të shumta.
Mediat britanike kanë raportuar se Aaron Taylor-Johnson dhe James Norton janë favoritët kryesorë për rolin, megjithëse ende nuk ka një datë zyrtare për daljen e filmit të ri.