Ylli i muzikës, Harry Styles, i cili është ndër performuesit kryesor në edicionin e sivjetmë të festivalit “Coachella”, vendosi t’i befasojë edhe një herë fansat, duke e ftuar Lizzon në skenë për të performuar me të.
Turma u entuziazmua jashtë mase kur ish-anëtari i grupit “One Direction” e ftoi këngëtaren e dashur nga publiku në skenë, për ta interpretuar hitin e vitit 2011, “What Makes You Beautiful”, raportoi të hënën protali “Page Six”.
Performanca zuri vend gjatë fundjavës, në kuadër të javës së dytë të festivalit të njohur muzikor i cili mbahet në Kaliforni.
Ylli 28-vjeçar, Styles dhe këngëtarja 33-vjeçare, Lizzo, po ashtu e interpretuan një ‘cover’ të hitit të Gloria Gaynorit, “I Will Survive”, derisa dukeshin të mahnitshëm të veshur me pallto të markës “Gucci”.
“Faleminderit ‘Coachella’, mbrëmja e kaluar ishte e mahnitshme. Harry Styles është një thesar dhe dhurata e Zotit për muzikën rock ‘n’ roll... Shkëlqimi që vjen nga brendësia e tij është i pashtershëm. Ai e bënë të lehtë interpretimin në skenë para mijëra njerëzve, sepse është një mik i vërtetë. Edhe ekipi i tij i bashkëpunëtorëve është i mrekullueshëm. Faleminderit shumë Harry dhe shihemi së shpejti”, shkroi Lizzo në postimin e saj në Instagram.
Edhe
Harry Styles mbërrin në Venecie
Performanca befasuese me yllin e hitit “Juice”, erdhi një javë, pasi Styles e ftoi në skenën e këtij festivali legjendën e muzikës country, Shania Twain. Edhe veprimi i kaluar i këngëtarit u mirëprit nga fansat e tij të pranishëm në koncert.
Ndërkaq, e pranishme në publik në secilën prej këtyre performancave ishte e dashura e këngëtarit, Olivia Wilde, e cila dukej e qeshur dhe po e shijonte pamasë interpretimin e të dashuri të saj dhjetë vjet më të ri.
Edhe
Fundjavë e mbushur me yje në festivalin “Coachella”
Çifti u pa për herë të parë në publik së bashku në janar të vitit 2021, pasi u fotografuan nga paparacët në dasmën e agjentit të Stylesit. Lidhja e tyre vazhdon të shkojë mirë dhe po bëhet edhe më serioze me kalimin e kohës.
Kujtojmë se dyshja u takuan në sheshin e xhirimeve të filmit “Don’t Worry Darling”, regjinë e së cilit e ka bërë aktorja e shndërruar në regjisore, kurse Harry e luan rolin protagonist krahas yllit, Florence Pugh. Filmi i zhanrit triler psikologjik publikohet për publikun e gjerë në shtator të këtij viti.