Në spektaklin e fundit të ndarjes së çmimeve më prestigjioze në muzikë “Grammy”, i cili u mbajt të dielën që shkoi, këngëtari i njohur Jay-Z ka kritikuar drejtuesit e ngjarjes pasi asnjëherë nuk e kanë shpërblyer gruan e tij, yllin botëror, Beyonce, me çmimin “Albumi i vitit”, raporton “Vox”.
Çmimi “Albumi i vitit” është më i rëndësishmi që ky spektakël ndan dhe shumë pak artistë kanë pasur fatin ta marrin çmimin disa herë, përveç këngëtares Taylor Swift, e cila të dielën bëri histori pasi e fitoi çmimin për të katërtën herë.
Njohësit e këtyre çështjeve kulturore si dhe fansat e kanë akuzuar akademinë e muzikës për diskriminim të afroamerikanëve ndër vite.
Përgjatë spektaklit të dielën, Jay-Z doli të pranonte çmimin special për “Ndikim Global”, çmim ky që ka emrin e producentit të njohur të muzikës Dr.Dre, e i cili e bën përzgjedhjen e personaliteteve që shpërblehen me këtë çmim. Jay-z u ngjit në skenë për ta pranuar çmimin bashkë me të bijën, Blue Ivy, dhe shprehu mirënjohjen për Dr.Dre dhe gjithashtu për spektaklin duke thënë “ju duam të gjithëve, ju duam të gjithëve”. Por pastaj reperi me ndikim global tha se akademia muzikore duhet t’i rregullojë gjërat, sepse Beyonce si artistja me më së shumti çmime “Grammy” nuk e ka fituar asnjëherë çmimin prestigjioz të albumit të vitit.
Përveç burrit të saj, për Beyoncen kanë reaguar shumë kritikë dhe fansa, duke konsideruar se talenti i saj është i pamohueshëm, ashtu siç i tha burri në skenë: “mos u ndal së punuari asnjëherë, deri sa të të shpërblejnë me titujt që i meriton duke të quajtur ‘më e mira e të gjitha kohërave’”.
Çmimi i albumit të vitit në “Grammy” është ekuivalent me çmimin për filmin më të mirë apo regjinë më të mirë në spektaklin “Oscar”.
Beyonce është nominuar katër herë për këtë çmim dhe është mundur nga artistë që i përkasin racës së bardhë. Kjo ka ngjallur kritikët të reagojnë sikur Jay-Z sepse edhe çmime të tjera ndër vite u janë dhënë artistëve muzikorë të bardhë.
Në vitin 2009, çmimin për “Videon e vitit” e fitoi Taylor Swift, dhe në skenë pati dalë reperi Kanye West, për t’i thënë Taylorit “më vjen keq, por Beyonce e ka albumin më të mirë të të gjitha kohërave”, gjest për të cilin u kritikua publikisht.
Në vitin 2010 Beyonce ishte nominuar për albumin e saj “I Am... Sasha Fierce” dhe humbi
Beyonce u nominua edhe tri herë të tjera duke përfshirë vitin 2017, kur garonte me albumin “Lemonade” dhe humbi pasi fitoi artistja Adele me albumin “25”. Vetë Adele pati dalë në skenë për të shprehur mirënjohjen për akademinë e muzikës, e për të lavdëruar punën e Beyonces.
“Nuk mund ta pranoj këtë çmim. Jam shumë mirënjohëse dhe tejet falënderuese, por artistja e jetës time është Beyonce dhe albumi i saj ‘Lemonade’ është monumental për mua”, pati thënë Adele.
Ani pse Beyonce përgjatë karrierës ka fituar 32 çmime “Grammy”, ajo ka fituar vetëm 4 çmime të mëdha nga ky spektakël duke përshirë çmimin për Këngën e vitit, të cilin e fitoi në vitin 2010 për këngën e saj hit, “Single Ladies”.
Vetëm 11 artistë afroamerikanë kanë fituar çmimin “albumi i vitit” në historinë më se 60 vjeçare të ngjarjes, dhe vetëm tri janë gra. Hera e fundit që një grua më ngjyrë ka fituar këtë çmim është Lauryn Hill në vitin 1999 për albumin e saj “The Miseducation of Lauryn Hill”.
Swift ka thyer rekordin e këtij çmimi duke e fituar katër herë, dhe tani ajo u bë artistja që ka fituar më shumë se të gjitha afroamerikanet bashkë, ka raportuar “Vulture”.
Në 2022-n profesori i Universitetit të Virginias, A.D. Carson pati shkruar për “The Washington Post” se si Grammys kishte disa çështje të pazgjidhura me mirëbesimin ndaj komunitetit të hip-hopit. Artistët si DJ. Jazzy Jeff dhe Will Smith kishin bojkotuar spektaklin në vitin 1989 kur fituan “Grammyn” e parë për performancën më të mirë në zhanrin rep, sepse spektakli nuk do ta transmetonte në TV dhënien e këtij çmimi. Carson pati shkruar gjithashtu se edhe nominimet e këtij spektakli gjithmonë kanë anuar kah të bardhët, duke u munduar që edhe fansat e muzikës t’i bëjë të anojnë kah të bardhët, si dhe komuniteti i fansave të jetë i bardhë gjithashtu.
Jay-z e kishte bojkotuar spektaklin edhe një herë tjetër kur në vitin 1999 kur fitoi çmimin për “Albumin më të mirë rep”, sepse reperi DMX nuk ishte nominuar për dy albume shumë të suksesshme që i pati lansuar në vitin 1998. Ai gjithashtu ka sharë spektaklin edhe në këngën e tij dhe të Beyonces në vitin 2018, “Apeshit”.
Edhe të tjerë artistë si Drake, Nicki Minaj e Teyana Taylor e kanë bojkotuar spektaklin për të shprehur pakënaqësinë e tyre, pasi “Grammys” nuk po i trajton afroamerikanët në mënyrën e duhur.
Lio Zhou, gazetare e çështjeve politike në “Vox” ka thënë se kjo gjë po vë dritë mbi faktin se si sistematikisht afroamerikanët nuk po vlerësohen për punën që po bëjnë në muzikë, duke përfshirë edhe mega-yllin botëror me talent të pamohueshëm, Beyonce.
Përgatiti: Vita Abrashi-Kajtazi