Një përplasje e fortë ka ndodhur në sallën e gjyqit gjatë procesit ndaj Sean “Diddy” Combs, i akuzuar për trafikim seksual dhe veprimtari mafioze, pasi një prej avokatëve të lidhur me të bëri komente fyese për ekipin e prokuroreve që po e ndjekin penalisht, ka raportuar New York Post.
Gjykatësi i Gjykatës Federale të Manhatanit, Arun Subramanian, kritikoi ashpër avokatin Mark Geragos, i cili përfaqëson nënën e Diddyt, pasi avokati, gjatë një episodi të podcastit të tij me themeluesin e TMZ, Harvey Levin, e quajti ekipin e prokurorëve një “gjashtëshe vajzash të bardha”.
“Mendoj se t’i referohesh prokurorisë në këtë çështje si ‘një ‘six-pack’ vajzash të bardha’ është e turpshme. Kjo nuk do të tolerohej në asnjë gjykatë, nga asnjë avokat, në asnjë cep të vendit”, u shpreh gjykatësi, sipas transkriptit të siguruar nga The New York Post.

Geragos, avokat i njohur që më herët ka përfaqësuar yje si Michael Jackson dhe Hunter Biden, ka thënë se ai komunikon shpesh me Diddyn dhe se ai ndien se po përballet me një ndjekje të padrejtë për shkak të racës.
“Kur ke një burrë të zi që ndiqet penalisht dhe klienti ndien se po shënjestrohet, ky është vëzhgim legjitim”, ka thënë Geragos në mbrojtje të komenteve të tij.
Megjithatë, ekipi mbrojtës i Diddyt, përfshirë avokatin Marc Agnifilo dhe Teny Geragos (e bija e Mark Geragos), ka rënë dakord të mos pretendojë në gjykatë se klienti po ndiqet penalisht për shkak të racës apo të përmendë persona të bardhë të famshëm që kanë përdorur shërbime seksuale pa u përballur me akuza.
Takimi i tensionuar në gjykatë erdhi pasi prokurorët federalë të Qarkut Jugor të New Yorkut i kërkuan gjyqtarit t’i rikujtojë ekipit mbrojtës se nuk duhet të bëjnë deklarata publike që mund të ndikojnë opinionin e jurisë.

Ndonëse Mark Geragos nuk është zyrtarisht pjesë e ekipit mbrojtës të Combsit, ai zbuloi se po punon për nënën e tij, Janice Combs, në një çështje tjetër dhe është parë në sallën e gjyqit gjatë përzgjedhjes së jurisë në zonën e rezervuar për familjarët dhe miqtë.
Seanca e së martës përfundoi me një batutë nga gjyqtari.
“Do të jem duke dëgjuar podcastin tuaj. Tani keni një dëgjues më shumë”, ka thënë ai, ndërkohë që Geragos iu përgjigj me humor: “Përderisa bëni ‘subscribe’, jam dakord.”
Sean “Diddy” Combs, 55 vjeç, përballet me akuza të rënda që mund ta çojnë deri në burgim të përjetshëm.