Sezoni i tretë i Westworld na sjell botë të reja. Comic-Con, si gjithmonë, na sjell paralajmërime të hit filmave dhe serive të shumëpritura, ndërsa në mesin e tyre është edhe sezoni i ri i hit serisë së HBO-së, Westworld. Në maj, HBO e publikoi teaserin e parë nga i cili nuk mundëm të kuptojmë detaje rreth ngjarjes, kështu që adhuruesit këtë trailer e pritën me padurim.

Në trailer mund ta shohim Maeve (Thandie Newton) e cila vjen në botën e re të vendosur në Luftën e Dytë Botërore, ndërsa gjatë asaj kohe në botën njerëzore Dolores (Evan Rachel Wood) dhe vendasit e tjerë të cilët ikën nga Westworld në sezonin e dytë, i ndjekin njerëzit, shkruan KOHA Ditore. Do ta shihni edhe Aaron Paulin, i cili është anëtar i ri i ekipit të këtij sezoni dhe, Tessa Thompsonin në rol të ri.
Paul në Comic-Con tha se është shumë i ngazëllyer sepse është adhurues i madh i serisë. Megjithatë, nuk e shtyu vetëm kjo ta pranojë rolin në këtë sezon, por ai e pranoi se tregimet në dy sezonet e para e kishin shtyrë të mendojë se si ta shikojë jetën.
Sezoni i dytë përfundoi mjaft pazakonshëm për shumicën, sepse nuk është mundur të kuptohet saktësisht se cilët vendas në fakt u arratisën në botën reale. Showrunnerët Jonathan Nolan dhe Lisa Joy edhe vetë thanë se sezoni i dytë ishte konfuz në disa momente dhe se i treti si temë kryesore do ta ketë një botë të re.
Sezoni i tretë i Westworld do të zhvillohet diku midis viteve 2050 dhe 2060, ndërsa HBO ende nuk e ka njoftuar datën e saktë të premierës, vetëm se dihet se premiera do të jetë gjatë vitit të ardhshëm.