Versioni i ri i “Watchmen” po pritet për javë të tëra, madje edhe muaj, kështu që suksesi i premierës ishte i garantuar.
Seriali i shkruar nga Damon Lindelof sipas stripave ikonik nga Dave Gibbons dhe Alan Moore, sipas portalit Variety, i kishte 1,5 milionë shikues në disa platforma digjitale të HBO (HBO, HBO Now dhe HBO Go) në mbrëmjen midis të dielës dhe të hënës, duke e arritur kështu debutimin më të fuqishëm digjital për një serial të HBO pas premierës së Westworld në vitin 2016 (1,96 milionë), shkruan KOHA Ditore. Në vetë kanalin HBO premiera u shikua nga rreth 800,000 me çfarë u bë seria më e shikuar këtë vit.

Ngjarja e serisë është vendosur në një realitet alternativ, në të cilin hakmarrësit e maskuar trajtohen si kriminelë. Ngjarja është e vendosur 30 vjet pas ngjarjeve nga stripat, duke e zëvendësuar tensionin e shkaktuar nga Lufta e Ftohtë në vitet 1980 me ngjarjet moderne që e vënë theksin në problematikën mes racave me autoritetin policor.
Në seri luajnë Jeremy Irons, Regina King, Jean Smart, Don Johnson, Tim Blake Nelson, Louis Gossett Jr., Yahya Abdul-Mateen II, Adelaide Clemens, Andrew Howard, Tom Mison, Frances Fisher, Jacob Ming-Trent, Sara Vickers, Dylan Schombing, Lily Rose Smith dhe Adelynn Spoon. Aktualisht nuk dihet nëse po planifikohet sezoni i dytë i serialit.