Showbiz

FKA Twigs thotë se ende nuk ndihet e sigurt edhe pas marrëveshjes ish-partnerin

FKA Twigs

FKA Twigs

Foto: Associated Press

Këngëtarja FKA Twigs, 37 vjeçe, ka thënë se nuk ndihet e sigurt edhe pas zgjidhjes së padisë së saj kundër ish-partnerit, aktorit Shia LaBeouf.

Emri i saj i vërtetë është Tahliah Debrett Barnett, dhe ajo kishte dorëzuar më parë dokumente në Gjykatën e Lartë të Los Angeles kundër aktorit 39-vjeçar për sulm seksual, dhunë dhe shkaktim të stresit emocional gjatë marrëdhënies së tyre të shkurtër në vitin 2019.

Ylli i filmit “Carpenter’s Son” më vonë kërkoi të përfundojë padinë me efekt të përhershëm, që do të thotë se FKA nuk mund t’i rishtrojë pretendimet në të ardhmen. Avokatët e tyre konfirmuan në muajin korrik se kishin rënë dakord ta zgjidhnin çështjen jashtë gjykatës.

Kur gazetarja e The Hollywood Reporter e ka pyetur se a ndihet e sigurt tash, ajo ka thënë “JO”.

“Jo, nuk mund të them se ndihem e sigurt. Ndihem shumë e angazhuar për të ndihmuar përmes organizatave si ‘Sistah Space’ dhe ‘No More’, për të mbështetur viktimat sa më shumë që mundem. Më tepër nuk bëhet fjalë për mua tani, por për të shkuar përpara dhe për të vazhduar jetën time”, ka thënë ajo.

Twigs  më parë ka thënë se u ngrit kundër abuzimeve për të treguar se marrëdhëniet abuzive mund t'i ndodhin kujtdo.

“Dua të rris ndërgjegjësimin mbi taktikat që përdorin abuzuesit për të kontrolluar njerëzit dhe për t’u marrë atyre autonominë”, pati thënë ajo në padi.

LaBeouf ka reaguar ndaj akuzave, duke thënë për New York Times se kishte qenë “abuziv ndaj vetes dhe të gjithëve përreth me vite”.

Megjithatë, ai ka thënë se shumë nga akuzat nuk janë të vërteta, por ka shtuar se gruaja kishte “të drejtën të shprehë publikisht deklaratat e saj dhe unë të pranoj përgjegjësinë për ato që kam bërë”.

Ai zbuloi vitin e kaluar se Twigs kërkonte 10 milionë dollarë dëmshpërblim.

"Ajo që kalova me Shian ishte gjëja më e keqe që kam përjetuar ndonjëherë në jetën time. Nuk mendoj se njerëzit do të mendonin se mund të më ndodhte mua. Por unë nuk jam imune”, pati thënë Twigs për New York Times.

Pas marrëveshjes, çifti publikoi një deklaratë të përbashkët duke i uruar njëri-tjetrit: “Lumturi personale, sukses profesional dhe paqe në të ardhmen”.