Muaji maj e shënon lansimin e disa filmave të shumëpritur nga publiku, të cilët i takojnë zhanreve të ndryshme. Ani pse më pak filma do të vijnë nëpër kinema krahasuar me muajin prill, fansat megjithëkëtë mund t’i presin disa projekte me buxhet të lartë të cilat ishin vonuar shkaku i pandemisë, raportoi portali “Variety”.
“Doctor Strange in the Multiverse of Madness” është filmi i parë i bazuar në librat komik “Marvel”, që lansohet gjatë vitit 2022, dhe publiku është jashtëzakonisht i entuziazmuar rreth projektit që pritet të korrë suksese të mira në arkat filmike botërore.
Në këtë vazhdim të dytë, Benedict Cumberbatch rikthehet në rolin e superheroit Doctor Strange. Ai e rrëfen historinë pas ngjarjeve që ndodhin në filmin “Avengers: Endgame”, ku Dr. Stephen Strange e vazhdon kërkimin e tij për gurin magjik të kohës. Por një mik i tij i vjetër i shndërruar në armik, synon t’i shkatërrojë të gjithë magjistarët në Tokë, duke ia prishur atij planin dhe duke e shkaktuar lirimin e një të force të ligë të paimagjinueshme.
Aktori i njohur amerikan, Chiwetel Ejiofor, rikthehet në rolin e magjistarit të keq, Baron Karl Mordo. Krahas tij dhe Cumberbatchit, në këtë projekt luajnë edhe yjet, Benedict Wong, Rachel McAdams dhe Elizabeth Olsen.
Filmi me buxhet të lartë këtë radhë vjen me regji të Sam Raimit, kjo pasi Scott Derrickson është larguar nga projekti. Në anën tjetër, Derrickson i cili e ka bërë regjinë e filmit të parë “Doctor Strange” tani do të shërbejë si producent ekzekutiv i projektit, dhe ai e aprovoi me plot vullnet angazhimin e Raimit në rolin e regjisorit.
Edhe
“Doctor Strange in the Multiverse of Madness” së shpejti nëpër kinema
“Doctor Strange in the Multiverse of Madness” lansohet për publikun e gjerë më 5 maj.
“Everything Everywhere All At Once” është filmi i ardhshëm i mbushur me aksion, në të cilin rolin protagonist e ka aktorja malajzeze Michelle Yeoh.
Aktorja e luan rolin e Evelyn, një punëtore lavanderie e mbingarkuar nga detyrimet e saj familjare dhe gjendja financiare. Ajo informohet se zë një pozicion unik në multivers dhe kështu i futet një aventure të re dhe të mbushur me adrenalinë dhe aksion.
Filmi vjen me regji të Daniel Kwant dhe Daniel Scheinertit, dhe në të luajnë edhe aktorët, Harry Shum Jr, Stephanie Hsu dhe James Hong.
Ylli i kinematografisë, Michelle Yeoh, ka qenë pjesë e kastës së aktorëve të projektit e parë të “Marvelit” me superhero aziatik, “Shang-Chi and the Legend of the Ten Rings”. Ajo po ashtu shquhet për rolin e saj në filmin, “Crazy Rich Asians”, i cili përbëhej nga një kastë tërësisht me aktorë aziatik. Së shpejti do të kemi mundësi ta shohim në projekte tjera të mëdha hollywoodiane, si “Avatar 2”, filmi i animuar “Minions: The Rise of Gru” dhe seriali hit i Netflixit, “The Witcher”.
Filmi “Everything Everywhere All at Once” lansohet nëpër kinema më 13 maj.
“Firestarter” është filmi i ardhshëm amerikan i cili i takon zhanrit horror dhe fanta-shkencë. Ai vjen i realizuar nga regjisori Keith Thomas dhe me skenar të shkruar nga Scott Teems, derisa ngjarja bazohet në romanin me të njëjtin emër të autorit Stephen King.
“Firestarter” është ripërpunim i filmit të vitit 1984 dhe në rolet kryesore i sjell aktorët: Zac Efron, Ryan Kiera Armstrong, Sydney Lemmon, Kurtëood Smith, John Beasley, Michael Greyeyes, and Gloria Reuben.
Ai e rrëfen historinë e një babi i cili duhet ta mbrojë vajzën e tij, pasi ajo zhvillon aftësi të jashtëzakonshme dhe kështu përfundon duke u ndjekur nga një agjenci sekrete qeveritare që synon ta kontrollojë atë.
Edhe
“Doctor Strange in the Multiverse of Madness” fillon shfaqjen nëpër kinema
“Firestarter” i cili vjen i realizuar nga studioja filmike “Universal Pictures”, lansohet nëpër kinematë e Amerikës më 13 maj të këtij viti në të njëjtën kohë me platformën digjitale “Peacock”.
“Monstrous” titullohet trileri supernatyror i cili vjen me regji të Chris Sivertsonit.
Filmi e rrëfen historinë e një nëne të quajtur Laura, e cila në film portretizohet nga aktorja e famshme Christina Ricci, dhe djalit të saj shtatë vjeçar, Cody. Ata zhvendosen për të jetuar në një shtëpi të vjetër në periferi të Kalifronisë, në përpjekje për t’u larguar nga ish-burri abuziv i Lauras. Por, shumë shpejtë ata e gjejnë veten të kërcënuar nga rikthimi i tij sidhe prezenca e një përbindëshi në jetën e tyre.
“Monstrous” publikohet për publikun e gjerë më 13 maj.
“On The Count of Three” është komedia e re e errët, që vjen e realizuar nga regjisori Jerrod Carmichael. Ajo e sjell historinë e dy shokëve të ngushtë, Val dhe Kevin, të cilët vuajnë nga depresioni kronik dhe bëjnë marrëveshje që me të përfunduar dita, ta vrasin njëri-tjetrin. Por, duke qenë se e kalojnë ditën e fundit të jetës së bashku duke i rregulluar disa gjëra të papërfunduara, plani i tyre del jashtë kontrolli.
Në film luajnë aktorët Christopher Abbott, Jerrod Carmichael , Tiffany Haddish, Henry Winkler, J.B. Smoove, Lavell Crawford dhe Jared Abrahamson.
“On The Count of Three” lansohet nëpër kinema dhe në platformat digjitale më datë 13 të këtij muaji.
Filmi i ardhshëm i aktorit Tom Cruise, “Top Gun: Maverick”, ka pësuar ndryshim të datës së lansimit disa herë dhe fansat kanë filluar të tregohen të padurueshëm për ta parë atë.
Vazhdimi i dytë i filmit të lansuar në vitin 1986, “Top Gun”, do të shfaqet në festivalin e sivjetmë të Kanës, para se të vijë nëpër kinematë botërore.
Edhe
Michelle Yeoh shndërrohet në yll të aksionit me filmin e saj të ri
I realizuar nga regjisori Joseph Kosinski, ky projekt krahas protagonistit Cruise, i cili e përsërit rolin e pilotit ushtarak, Pete ‘Maverick’ Mitchell, me role i sjell edhe aktorët: Miles Teller, Jennifer Connelly, Jon Hamm, Glen Powell, Lewis Pullman, Danny Ramirez, Monica Barbaro, Ed Harris dhe Val Kilmer.
“Top Gun: Maverick” vjen i realizuar me një buxhet prej 152 milionë dollarësh dhe fillon së shfaquri për publikun mbarë botëror nga 27 maji i këtij viti.