Janë publikuar pamjet e reja të filmit të ardhshëm të bazuar në librat komik “Marvel” me titull, “Doctor Strange in the Multiverse of Madness”, dhe publiku është entuziazmuar edhe më shumë rreth projektit që pritet të korrë suksese të mira në arkat filmike botërore.
Në këtë vazhdim të dytë, Benedict Cumberbatch rikthehet në rolin e superheroit Doctor Strange. Ai e rrëfen historinë pas ngjarjeve që ndodhin në filmin “Avengers: Endgame”, ku Dr. Stephen Strange e vazhdon kërkimin e tij për gurin magjik të kohës. Por një mik i tij i vjetër i shndërruar në armik, synon t’i shkatërrojë të gjithë magjistarët në Tokë, duke ia prishur atij planin dhe duke e shkaktuar lirimin e një të force të ligë të paimagjinueshme.
Aktori i njohur amerikan, Chiwetel Ejiofor, rikthehet në rolin e magjistarit të keq, Baron Karl Mordo. Krahas tij dhe Cumberbatchit, në këtë projekt luajnë edhe yjet, Benedict Wong, Rachel McAdams dhe Elizabeth Olsen.
Filmi me buxhet të lartë këtë radhë vjen me regji të Sam Raimit, kjo pasi Scott Derrickson është larguar nga projekti. Në anën tjetër, Derrickson i cili e ka bërë regjinë e filmit të parë “Doctor Strange” tani do të shërbejë si producent ekzekutiv i projektit, dhe ai e aprovoi me plot vullnet angazhimin e Raimit në rolin e regjisorit.
Lansimi i filmit “Doctor Strange in the Multiverse of Madness” ishte shtyrë disa herë për shkak të pandemisë së koronavirusit, kurse tani vjen nëpër kinema më 25 mars të këtij viti.