Aktori i shpërblyer me “Oscar”, Benedict Cumberbatch, u nderua me yll në shtegun e të famshmëve në Hollywood. Ylli i tij gjendet afër kinemasë legjendare “El Capitan”, ku edhe ishte vendosur posterio i madh i filmit të tij të ardhshëm të bazuar në Universin Kinematik Marvel, “Doctor Strange in the Multiverse of Madness”.
Të pranishëm në ceremoninë e zbulimit të yllit të aktorit në bulevardin e famës ishin, gruaja e tij Sophie Hunter, aktori Kodi Smit-McPhee, regjisori J.J. Abrams dhe shefi i studios “Marvel”, Kevin Feige.
Fjalimi i aktorit ishte i gjatë dhe përmbajtjesor, i fokusuar kryesisht në ngjarjet serioze me të cilat është përballur bota këto vjetët e fundit. Cumberbatch po ashtu e përmendi motrën e tij, Tracey Peacock, e cila vdiq vitin e kaluar nga kanceri dhe ndryshimet klimatike.
“Ky ka qenë një vit shumë i dhimbshëm për qindra, mijëra e miliona njerëz anembanë botës, jo vetëm për ata që i kanë humbur më të dashurit si pasojë e pandemisë, por gjithashtu për shkak të ndarjeve, anktheve dhe tensioneve që i ka shkaktuar kjo krizë globale. Dhe kërcënimi tjetër ekzistencial me të cilin jemi përballur si specie dhe vazhdojmë të përballemi, është kriza klimatike globale. Ka shumë gjëra për të cilat duhet të jemi të vëmendshëm. Duhet të përpiqemi të kuptojmë se çfarë është trashëgimia dhe si ta lëmë prapa planetin tonë më mirë se që e kemi gjetur. Prandaj, duhet patjetër t’i dyfishojmë përpjekjet tona për një jetë më të mirë për të gjithë”, deklaroi aktori para të pranishmëve në ceremoni.
Tutje, Cumberbatch nuk ngurroi ta përmend edhe ngjarjen më aktuale në botë, që është pushtimi i Ukrainës nga ushtria ruse.
“Në këtë moment të jashtëzakonshëm të jetës sime, nuk mund të flas para jush pa e përmendur situatën që po ndodhë në Ukrainë dhe ta shpreh përkrahjen time për banorët e këtij shteti dhe për gjithë qytetarët rus që janë duke e kundërshtuar këtë luftë pakuptim. Por, tani është koha që ne të bëjmë më shumë se sa të mendojmë dhe lutemi për Ukrainën. Duhet të veprojmë. Ne duhet të shkojmë në faqet e internetit të ambasadave. Duhet të shohim se çfarë mund të bëjmë si qytetarë të botës, qytetarë të Evropës dhe njerëz që duan një vend më të mirë dhe një rezultat më të mirë për këtë moment të tmerrshëm, për këta njerëz me fëmijë, me familje që po luftojnë për të mbijetuar ndërsa raketat e kanë pushtuar qiellin në qytetet e tyre”.
Benedict Cumberbatch aktualisht luan në filmin e vlerësuar nga kritikët, “The Power of the Dog”, i cili është nominuar për “Oscar” në kategorinë “Filmi më i mirë” si dhe ia fitoi yllit britanik të filmit një nominim në kategorinë “Aktori më i mirë”.
Ndërkaq, filmi i tij i ardhshëm me buxhet të lartë, “Doctor Strange in the Multiverse of Madness”, pritet të lansohet nëpër kinema anembanë botës nga 6 maji i këtij viti.
"We need to act."
— AP Entertainment (@APEntertainment) March 1, 2022
Benedict Cumberbatch turned his Hollywood Walk of Fame ceremony into a tribute to the people of Ukraine. pic.twitter.com/5gkIDIsIzf