Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Benedict Cumberbatch u nderua me çmimin “Cinema Vanguard Award”

Foto: AP News

Ylli britanik i kinematografisë, Benedict Cumberbatch, u nderua me çmimin “Cinema Vanguard Award” në edicionin e 37-të të Festivalit ndërkombëtarë të filmit në Santa Barbara.

Shpërblimin në skenë ia dhuroi regjisorja, Jane Campion, e cila e ka bërë regjinë e filmit të ri të Cumberbatchit, “The Power of the Dog”, për të cilin rol aktori britanik edhe u nominuar për çmim “Oscar” në kategorinë “Aktori më i mirë”.

“Çdo gjeneratë i ka mrekullibërësit e vet. Fillimisht ishte Olivier, pastaj ishte Daniel Day Lewis… dhe tani je ti”, tha regjisorja para se t’ia dorëzonte trofenë në skenë.

Ndërsa, Cumberbatch para publikut të entuziazmuar në sallë, tha: “Është një moment i jashtëzakonshëm për ta bërë një lloj vlerësimi dhe për të reflektuar pak mbi atë që ka ndodhur përpara këtij momenti. Jeta ime ka qenë shumë e ngarkuar kohët e fundit, si kurrë më parë, kështu që tani që po e kam rastin të ndalem dhe të kthehem prapa në kohë, është një ndjenjë vërtetë e veçantë”.

Tutje, aktori 45-vjeçar e shfrytëzoi rastin ta falënderojë gruan e tij, Sophie Hunter.

“Nuk do të mund ta bëja këtë punë pa gruan time, Sophie. Mikesha ime më e mire. Ajo është shtylla e vërtetë, që më shtyn vazhdimisht të luftoj për t’i arritur të gjitha synimet në jetë. Ndoshta kjo nuk është metafora më e mirë për ta përdorur në këtë rast prandaj të lutem në fal. Por seriozisht, atë që më ke dhënë si mike, si grua, si nënë e djemve tanë të mrekullueshëm e të bukur, dhe si partnere e krimit në këtë udhëtim të çmendur që po bëjmë të dy, ti si regjisore ndërsa unë si aktor, është përtej fjalëve. Nuk mund të të falënderoj sa duhet që je me mua këtu sonte, siç je gjithmonë në momente të këtillë për të më mbështetur. Te dua shumë”.

Edhe Benedict Cumberbatch u nderua me yll në Hollywood Showbiz Benedict Cumberbatch u nderua me yll në Hollywood

Ndër të tjera, Cumberbatch i premtoi fansat se do të vazhdojë të punojë si aktor, pasi ka edhe shumë çka për të ofruar.

“Unë jam 45-vjeçar. Po shpresoj që ndoshta do t’i gëzoj edhe 40 vjet tjera në aktrim. Kështu që, po, jam ndezur si një raketë e fuqishme dhe nuk e kam në plan të ndalem, por thjeshtë do të vazhdoj tutje duke punuar edhe më shumë. Kam ende shumë për të dhënë nga vetja. Faleminderit të gjithëve dhe ju uroj një natë të mirë”, tha aktori në fund të fjalimit të tij në skenë.

Shpërblimi “Cinema Vanguard Award” i nderon aktorët të cilët të cilët e kanë krijuar rrugën drejt një karriere të suksesshme, duke ndërmarrë rreziqe artistike dhe duke dhënë një kontribut të rëndësishëm dhe unik në kinematografi.