Publiku mund të mos e ketë ende ndonjë videoklip të këngëve të albumit të ri të Beyonces, “Renaissance”, por deri atëherë mund t’i shijojnë reklamat kreative të këngëtares për kompaninë e njohur të stolive, “Tiffany”.
Bashkëpunimi yllit të muzikës me brendin e njohur të stolive prej diamanti filloi gjatë vitit të kaluar, dhe secila reklamë e realizuar po e sjell nga një version të ri të Beyonces.
Në disa prej videove të shumta të realizuara si pjesë e kësaj fushate reklamuese, ajo shfaqet duke i bërë serenatë bashkëshortit të saj Jay-Z, derisa në sy bie qaforja e mrekullueshme me diamant të verdhë, si dhe duke bërë xhiro me veturë luksoze përkrahë vajzës së saj, Blue Ivy.
E në reklamën e saj të fundit, “Summer Renaissance”, Beyonce vjen duke vallëzuar në një ndejë plot atmosferë. Ajo e mban të veshur një fustan plot shkëlqim të krijuar nga disenjatorja shqiptare, Lena Berisha, dhe vjen e mbuluar me stoli të çmuara “Tiffany”, shkruan portali “The Cut”.
Fushata reklamuese është realizuar nga regjisori i shpërblyer me “Grammy”, Mark Romanek, i cili shquhet për krijimin e videoklipeve ikonike si, “Free Your Mind” nga En Vogue, “Are You Gonna Go My Way” nga Lenny Kravitz dhe “99 Problems” nga Jay-Z.