Aktori 64-vjeçar Eddie Murphy ka folur hapur për momentin kur humbi çmimin Oscar në vitin 2007 për rolin e James “Thunder” Early në filmin muzikor Dreamgirls, duke u mposhtur nga i ndjeri Alan Arkin për interpretimin e tij në Little Miss Sunshine. Murphy tregoi se vendosi të largohej shpejt nga ceremonia, pasi nuk donte të kalonte gjithë mbrëmjen duke marrë ngushëllime, veçanërisht pasi legjenda e Holliwoodit Clint Eastwood iu afrua për ta përqafuar dhe ngushëlluar.
Në një intervistë për Entertainment Weekly, Murphy tha se e kishte kuptuar shumë më herët se Arkin do ta fitonte çmimin.
Ai rrëfeu se e kishte parë Little Miss Sunshine disa muaj para daljes në kinema, me ftesë të producentit Jeff Katzenberg, dhe menjëherë kishte vlerësuar interpretimin e Arkin si një rol që “mund t’ia marrë Oscarin dikujt”.
Megjithatë, ylli i Beverly Hills Cop theksoi se nuk ndjen se çmimi iu “vodh”, duke sqaruar se fitimi i një Oscari është “më shumë art sesa shkencë” dhe varet nga shumë faktorë, si fushatat promovuese, karriera e mëparshme dhe kontributi i përgjithshëm në industri.
Murphy, i cili nuk ka fituar asnjëherë një Oscar, shtoi se Alan Arkin – i cili vdiq në vitin 2023 në moshën 89-vjeçare – e meritonte plotësisht çmimin për gjithë karrierën e tij, duke e cilësuar atë si një aktor të jashtëzakonshëm.