Aktori i njohur, Eddie Murphy, do të sjellë në ekran një version të ri të “inspektorit Clouseau”, në filmin e ardhshëm të komedisë ikonike “The Pink Panther”.
Ylli i filmit “Shrek”, për herë të parë u raportua se ishte në bisedime për këtë rol që nga viti 2023. Tani, vetë ai e ka konfirmuar lajmin gjatë një interviste në emisionin “Today”, me gazetarin Al Roker, ka raportuar FemaleFirst.
“Po përgatitem për një film biografik për George Clinton dhe grupin e tij Parliament-Funkadelic. Po ashtu, kam nisur punën për ‘Shrek 5’. Dhe do të jem… jam Inspektori Clouseau në filmin e ri ‘Pink Panther’”, ka thënë Murphy.
Kur u pyet nëse Clouseau do të jetë ende francez, ai u përgjigj me humor duke thënë “ndoshta”.
“Ndoshta. Duhet të jetë francez, por mund të jetë edhe haitian. Po ua them një gjë: është i zi. I zi, me siguri”, ka thënë ai.
Sipas burimeve të mëhershme të The Hollywood Reporter, filmi do të jetë një përzierje mes aksionit live dhe animacionit kompjuterik (CGI).
Filmi origjinal “The Pink Panther” doli në SHBA në vitin 1964 ku bëhej fjalë për një polic francez, inspektorin Jacques Clouseau, që përpiqej të ndalonte një hajdut stolish të njohur si Fantoma (The Phantom), i cili synonte të vidhte diamantin e çmuar ngjyrë rozë që quhej “Pink Panther”.
Rolin e Clouseausë atëherë e pati luajtur legjendari Peter Sellers, i cili e riktheu këtë personazh në disa filma të tjerë, përfshirë: “A Shot in the Dark” (1964), “The Return of the Pink Panther” (1975), “The Pink Panther Strikes Again” (1976), si dhe “Revenge of the Pink Panther” (1978).
Në kastin origjinal ishin edhe emra të mëdhenj si David Niven, Robert Wagner, Claudia Cardinale dhe Capucine.
Përveç filmave, personazhi i panterës rozë që shfaqej në titujt hapës të animuar u bë po aq i famshëm dhe vazhdoi të shfaqej në seri të shumta vizatimore.
Në vitin 2006, regjisori Shawn Levy solli një version të ri të filmit, me Steve Martin në rolin e Clouseausë.
Filmi pati sukses dhe u pasua me një vazhdim në 2009, ku Martin, Jean Reno dhe Emily Mortimer u rikthyen në rolet e tyre, ndërsa John Cleese zëvendësoi Kevin Kline si Shef Inspektori Dreyfus.