Showbiz

E vërteta rreth raportimeve për mbylljen e kanaleve të MTV-së

MTV, Music Television

MTV, Music Television

Televizioni i njohur i muzikës, MTV, nuk po mbyllet në SHBA, por pesë nga kanalet e tij internacionale do ta mbyllen në fund të këtij viti, përfshirë, MTV Music, MTV 80’s dhe MTV 90’s. I vetmi kanal ndërkombëtar i këtij televizioni që do të vazhdojë transmetimin është MTV HD, i cili kryesisht fokusohet në transmetimin e reality showve.

Mbyllja e disa kanaleve muzikore të televizionit të famshëm për transmetimin e vieoklipeve muzikore, sipas The Guardian po rikthen një pyetje që prej kohësh qarkullon në industri: a është e rrezikuar e ardhmja e videoklipit muzikor?

Disa nga videot më të popullarizuara të MTV-së ndër vite:

MTV, e cila filloi transmetimin në vitin 1981, pati ndryshuar përgjithmonë mënyrën se si promovohej muzika. Me transmetim 24 orë në ditë të videoklipeve, kanali krijoi një epokë të re dhe ndihmoi në ndërtimin e imazhit të artistëve si Michael Jackson dhe Madonna, ku muzika dhe pamja publike u bënë të pandashme.

MTV Punk'd, nga aktori, Ashton Kutcher, një  nga emisionet më të popullaruzuara të këtij televizoni:

Por kjo epokë duket se po mbyllet.

Gjigandi “Paramount”, pronar i MTV-së, ka njoftuar se pesë kanalet muzikore të saj në Britani, MTV Music, MTV 80s, MTV 90s, Club MTV dhe MTV Live, do të ndalin transmetimin pas 31 dhjetorit të këtij viti. Do të mbetet vetëm kanali kryesor MTV, i cili sot transmeton kryesisht reality show si “Catfish”, “The Hills” dhe “Geordie Shore”.

Emisioni MTV TRL, xhiruar gjatë viteve 90':

Për disa, ky është fundi i një epoke. Për të tjerë, si muzikantja Hannah Diamond, kjo epokë kishte përfunduar prej kohësh.

“Vitet e fundit, MTV është shndërruar më shumë në një kujtim nostalgjik. Nuk ka qenë pjesë e bisedës kulturore për shumë kohë, ndaj nuk më befason që po e mbyllin”, ka thënë ajo.

Nirvana duke performuar në MTV Unplugged:

Si artiste e pavarur, Diamond, ka thënë se platforma transmetuese, YouTube, ka qenë gjithmonë kryesorja për publikimin e videoklipeve muzikore.

Megjithatë, mbyllja e kanaleve muzikore të MTV-së ngre pikëpyetje për rolin që ka videoklipi në ditët e  sotme. A konsiderohet ende mjet i fuqishëm shprehjeje dhe promovimi?

Një nga emisionet e famshme të MTV-së, "MTV Cribs":

Jennifer Byrne, drejtoreshë e zhvillimit në Academy Films, ka thënë se kompanitë diskografike nuk janë më të gatshme të investojnë buxhete të mëdha si dikur.

“Labelat nuk janë më aq të gatshme të shpenzojnë për video. Paratë tani duhet të mbulojnë shumë më tepër përmbajtje sesa më parë. Dikur ishte vetëm një video treminutëshe. Tani duhet të mendosh si ta përshtatësh për dhjetë platforma të ndryshme”, ka shpjeguar ajo.

Edhe regjisorët po e ndiejnë fort këtë presion. Iris Luz, regjisore në Londër që ka punuar me grupe muzikore si PinkPantheress dhe George Riley, ka thënë se buxhetet po tkurren edhe për ide që duken shumë të thjeshta.

“Sa herë kam një ide që për mua duket super e lehtë, dhe më thonë: ‘Jo, kjo kushton 50 miliardë paund’. Unë them: është një shtëpi dhe katër njerëz. Nuk e di çfarë po ndodh”, ka thënë ajo me humor.

As Luz dhe as Byrne nuk besojnë se fundi i MTV-së do ta zhdukë videoklipin. Sipas Luzit, sot videoklipet nuk janë më thjesht mjete promovimi.

“Ato janë më shumë për identitet dhe lidhje me publikun, për ta bërë shikuesin të ndihet pjesë e botës së artistit”, ka thënë ajo.

Luz ka shtuar se në epokën e TikTok-ut, muzika publikohet menjëherë, dhe videoja pasqyron një moment, jo domosdoshmërisht një “shpërthim” të madh si dikur.

Megjithatë, barrierat për artistët e vegjël mbeten të mëdha.

“Videot që kam bërë kanë ardhur falë fatit, punës së lodhshme ose viteve investim në një projekt të vetëm. Sot, buxhete për videoklipe marrin vetëm artistët shumë të mëdhenj që kanë mbështetje të fortë nga labelat” thotë Diamond.

Byrne ka shtuar se as regjisorët nuk fitojnë financiarisht nga këto projekte.

“Askush nuk bën para nga videot muzikore. As kompanitë e produksionit. Por i bëjmë sepse janë thelbësore për zhvillimin artistik dhe për gjetjen e zërit personal të një regjisori”, ka thënë ajo.

Ndërkohë, përmbajtja e shkurtër për rrjetet sociale po merr gjithnjë e më shumë buxhet.

Luz ka thënë se një video në TikTok mund të jetë po aq kreative sa një videoklip tradicional.
“Përmbajtja mund të jetë një shtresë tjetër e botës së artistit”, ka shpjeguar ajo.

Pavarësisht gjithçkaje, sipas Byrne, videoklipet vazhdojnë të jenë trampolinë për karrierën e regjisorëve.

Diamond mbetet optimiste, duke kujtuar se industria ndryshon vazhdimisht.

“Kush do ta mendonte që disqet vinyl do të rikthehej kaq fuqishëm?”, ka thënë ajo.

Ndërkohë, edhe Luz pajtohet duke thënë se albumet nuk do të zhduken kurrë.

“Videoklipet janë si pikësimi i një albumi. Ato gjithmonë do të ekzistojnë”, ka thënë ajo.