Showbiz

Dua Lipa të premten e lanson videoprojektin “Love Again”

Foto: AP/Associated Press

“Love Again” është një prej këngëve të preferuara të Dua Lipës nga albumi i dytë, “Future Nostalgia”. Dhe siç duket, këngëtarja më në fund ka vendosur që këtij hiti t’ia realizojë një videoklip.

Me postimin e një fotografie ku Lipa vjen e grimosur sikur palaço, ajo e konfirmoi lansimin e videoklipit të ri muzikor, të premten më 4 qershor.

“Love Again” është një këngë e bukur e cila flet për dashurinë.

Në lajme të tjera, këngëtarja me prejardhje kosovare dhe famë botërore tashmë ka filluar të mendojë rreth albumit të saj të tretë. Kështu kanë bërë të ditur shefat e studios incizuese e cila ka kontratë bashkëpunimi me Lipën.

“Unë them se ‘Future Nostalgia’ është më i fuqishmi i të gjitha albumeve të vitit 2020, dhe thjeshtë nuk ka kush ta ndalojë atë. Sa herë që mendojmë se ka rënë dëgjueshmëria e tij, ndonjë këngë e albumit fillon të shënojë suksese në ndonjë territor apo platformë tjetër muzikore, dhe shkarkimet e këtij incizimi rriten sërish. Pastaj etika e punës së Dua është legjendare. Ne madje e shfrytëzojmë atë si shembull tek artistët tjerë të cilët janë pjesë e ‘labelit’ tonë, dhe e di që kompania e saj menaxhuese, ‘Tap Music’, e bënë të njëjtën gjë”, ka deklaruar Joe Kentish, presidenti i ri i komapnisë “Warner Records UK”.

Duke e konfirmuar lajmin se Lipa tashmë është duke menduar rreth realizimit të albumit të ardhshëm, Kentish po ashtu premtoi se ky incizim do të jetë tërësisht ndryshe dhe në një tjetër nivel.

“Ajo po mendonte rreth realizimit të albumit të radhës, teksa ishim ende duke e finalizuar albumin e dytë. Normalisht do të mendoja se ajo dëshiron të pauzojë pak ose ta shijojë për ca kohë suksesin e ‘Future Nostalgia’, por në fakt Dua menjëherë filloi të mendojë për krijimin e muzikës së re. Interesimi i saj, njohuria për muzikën, dëshira për të mësuar gjëra të reja dhe të qenit në kontroll të projekteve të saj, vetëm sa vazhdon e rritet. Ajo po merr kohë për të realizuar plotësisht albumin nga ana konceptuale, por besimi në vetvete dhe besimi se ajo mund të nxjerrë diçka krejt ndryshe dhe në një nivel tjetër, po shtohet çdo ditë e më shumë”, deklaroi Kentish.

Nga lansimi i albumit të dytë në mars të vitit 2020, Dua Lipa i ka publikuar edhe albumin e plotë remix, ‘Club Future Nostalgia’, të realizuar nga DJ dhe producentja e njohur amerikane, The Blessed Madonna, pjesë e këtij incizimi ishin yje të njohur të muzikës si Madonna, Missy Elliot, grupi “Blackpink” dhe Gwen Stefani.

Këngëtarja 25-vjeçare po ashtu e ka lansuar një këngë të re të quajtur “Fever”, të cilën e solli në bashkëpunim me kantautoren belge Angéle, e angazhoi reperin më të kërkuar të momentit, DaBaby, në një version të ri të këngës “Levitating”, bashkëpunoi me yllin e muzikës Miley Cyrus në realizimin e hitit “Prisoner”, si dhe e lansoi një version “Future Nostalgia: The Moonlight Edition” së bashku me këngën e re, “We’re Good”.

Në një intervistë të fundit për portalin “NME” të realizuar mbi qilimin e kuq të ceremonisë “BRIT Awards”, Dua Lipa tha se është duke punuar në disa këngë të reja, prandaj ka mundësi që së shpejti të lansojë diçka.