Ylli i njohur i muzikës, Dua Lipa, nuk do ta lansojë albumin e saj të ardhshëm deri sa të jetë plotësisht e kënaqur me materialin.
Këngëtarja e hitit “New Rules” aktualisht është duke punuar me shumë përkushtim në albumin e tret, i cili vjen pas incizimit rekordthyes “Future Nostalgia”, dhe së fundmi u ribashkua në Londër me bashkëpunëtorët e saj të zakonshëm, Sarah Hudson dhe Clarence Coffee Jr., për të punuar në realizimin e këngëve të reja.
Një burim i afërt për gazetën “The Sun” ka deklaruar: “Dua është duke punuar me shumë përkushtim dhe nuk dëshiron të humbë kohë. Ata tashmë i kanë krijuar disa këngë të mrekullueshme. Por, Dua shquhet si perfeksioniste dhe nuk dëshiron ta lansojë albumin e radhës pa qenë plotësisht e kënaqur me tërë materialin. Ajo po punon pa ndalë për të realizuar muzikë fantastike për fansat e saj”.
Ylli i hititi “Levitating” para pak kohe zbuloi se i është dashur ta bllokoj presionin e madh që e ndjente rreth realizimit të albumit të saj të dytë, sidomos pas suksesit të cilin e arriti me albumin debutues të vitit 2017.
“Isha shumë në presion. Njerëzit më thoshin se nuk isha e mirë sa duhej apo që nuk e meritoja suksesin që e kisha arritur me albumin e parë. Por, unë vendosa t’i largoj të gjitha mendimet e këqija dhe të sigurohesha ta krijoja këtë album në mënyrën siç unë dëshiroja. Në të vërtetë unë gjithnjë fokusohem në arritjen e qëllimeve të mia dhe mundohem të jem e mirë në gjithçka që bëjë”, ka deklaruar Lipa.
Dhe pas arritjeve të shumta në karrierë, Dua është e vendosur që të mos pushojë ndërsa ndjek suksesin e radhës me albumin e tretë muzikor. Me këtë incizim, ajo dëshiron t’i tregojë botës se është këtu për të qëndruar.
Lipa e lansoi albumin “Future Nostalgia” në mars të vitit 2020, në kohën kur bota hyri në karantinën e parë dhe të gjitha ngjarjet kulturore u pezulluan për shkak të pandemisë. Kah fundi i atij viti, ylli i hitit “Don’t Start Now” e mbajti një koncert virtual të titulluar “Studio 2054”, ngjarje kjo e cila u përcoll nga një numër rekord i shikuesve.
Albumi i dytë i këngëtares 26-vjeçare i solli asaj suksese të jashtëzakonshme në platformat dhe toplistat muzikore, si dhe ia fitoi disa shpërblime prestigjioze të muzikës, si “Grammy”, “BRIT Award”, “American Music Award”, “MTV Video Music Award” dhe të tjerë. Pothuajse secila këngë e albumit është shndërruar në hit të menjëhershëm, janë transmetuar nëpër televizione dhe radiostacione të njohura anembanë botës dhe u pozicionuan lartë në toplista të ndryshme.
Ylli i njohur botëror më në fund do ta realizojë turneun e saj të shumëpritur në Amerikën Veriore, i cili do të fillojë në shkurt të vitit të ardhshëm, me një koncert në qytetin bregdetar Miami, kurse do të përmbyllet më 1 prill në Vancouver.
“Jam shumë e lumtur që do të realizoj sërish turne dhe do t’i takojë personalisht engjëjt e mi! është e mahnitshme që të gjithë do të kemi mundësi të vallëzojmë dhe festojmë së bashku. Kur po i shkruaja këngët e albumit ‘Future Nostalgia’, e imagjinoja që ato të transmetoheshin në klube të natës kur të gjithë të ishin me shoqëri duke festuar. Prandaj, jam shumë e lumtur që kjo dëshirë më në fund po realizohet. Mezi pres t’i përjetojë këto këngë live, bashkë me ju”, kishte shkruar Dua në një prononcij për media.
Në disa koncerte të caktuara, bukuroshja me prejardhje kosovare në skenë do të shoqërohet nga yjet tjerë të muzikës, si Megan Thee Stallion, Caroline Polachek dhe Lolo Zouaï.