Shqiptarja me famë botërore, Dua Lipa, ka mohuar se e ka pushuar nga puna agjentin, David Lavy, për shkak të pikëpamjeve të tij pro-Izrael.
Mail Online, ditë më parë, pati raportuat se Lipa, e ka pushuar nga puna Levyn, një nga anëtarët e ekipit menaxhues të saj, me të cilin ka bashkëpunuar gjatë, pasi ka mësuar se ai ka nënshkruar një letër për festivalin Glastonbury, përmes së cilës kërkohet të ndalohet pjesëmarrja në skenë e grupit propalestinez “Kneecap”.
Bashkërisht, Lipa dhe agjencia menaxheriale e saj WME, e kanë quajtur lajmin “kategorikisht të rremë”, duke thënë se Levy nuk punon me yllin që nga viti 2019, ka raportuar BBC.
Në një deklaratë, Lipa ka thënë se nuk mbështet Levyn, por ka thënë se deklarata është manipuluar nga Mail Online.
“Unë nuk i mbështes veprimet e David Levy apo të ndonjë drejtuesi tjetër muzikor ndaj një artisti që po thotë të vërtetën e tij. Por, nuk mund të injoroj as mënyrën se si kjo është trajtuar në media. Jo vetëm që artikulli ishte krejtësisht i rremë, por gjuha e përdorur nga Daily Mail ka qenë qëllimisht nxitëse, e përgatitur thjesht për klikime, qartazi e dizajnuar për të nxitur përçarje online. Gjithmonë është ‘Free Palestine’, por shfrytëzimi i një tragjedie globale vetëm për të shitur gazeta është diçka që e konsideroj jashtëzakonisht shqetësuese”, ka shkruar ajo në Instagram Story.

E kompania WMBE tha se “raportimet që sugjerojnë se Dua Lipa apo menaxhmenti i saj kanë larguar një nga agjentët për shkak të pikëpamjeve politike, janë kategorikisht të rreme”.
WME ka thënë se Levy ka luajtur rol në fillim të karrierës së Duas. Tha se ai ishte pjesë e ekipit të saj “në rol këshillues” deri “më herët këtë vit” kur ka lëvizur te projektet tjera.
“The Mail” ka përditësuar storien, e po ashtu ka përmirësuar gabimin që thoshte se Levy ishte menaxher i Dua Lipas.
Babai i këngëtares, Dukagjin Lipa, ka qenë menaxher i saj që nga viti 2022.