Showbiz

Dua Lipa merr nënshtetësinë shqiptare

Këngëtarja kosovare me famë botërore, Dua Lipa, ka marrë nënshtetësinë shqiptare një ditë para festës së flamurit.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka njoftuar se i ka dorëzuar dekretin e shtetësisë në prag të 110 vjetorit të pavarësisë, festë për të cilën Dua do të performojë në Tiranë.

“Kënaqësi e veçantë t’i dorëzoja dekretin e shtetësisë shqiptare këngëtares së talentuar dhe të famshme në të gjithë botën! Në vigjilje të 110-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, nderojmë jo vetëm ato personalitete që në të shkuarën kontribuuan dhe ndihmuan në krijimin e shtetit të ri shqiptar, por edhe të gjithë ata që me kontributin e tyre në çdo fushë të jetës i japin vlerë identitetin shqiptar dhe na bëjnë krenarë në çdo moment”, ka shkruar Begaj në Facebook.

Ai e ka vlerësuar Dua Lipën pasuri të rrallë për botën e muzikës dhe krenari të jashtëzakonshme për Shqipërinë dhe Kosovën.

“Ajo është simbol i talentit, punës së përkushtuar dhe shkëlqimit artistik plotësisht të merituar”, ka shtuar më tej Begaj.

Dua Lipa do të performojë në Tiranë më 28 nëntor si pjesë e turit të saj “Future Nostalgia”.

Këngëtarja me origjinë nga Kosova ka njoftuar se në ditën e Pavarësisë së Shqipërisë ka zgjedhur të performojë në kryeqytetin shqiptar.

“Jam shumë e emocionuar t’ju njoftoj se turi i fundit i ‘Future Nostalgia’ do të mbahet në Tiranë, Shqipëri, më 28 nëntor. Mezi po pres me ju pa më 28 nëntor, për Ditën e Flamurit edhe për 110 vjetorin e pavarësisë. Ju dua shumë”, kishte thënë Lipa në videon e publikuar ditë më parë në Instagram.