Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Dolph Lundgren kundër zombive

Para se Thomas Jane dhe Jon Bernthal ta marrin rolin e Punisher, Dolph Lundgren ishte Frank Castle origjinal që në vitin 1989 në filmin “The Punisher”, ku i ngjyrosi flokët e zeza, në dorë e mori armën e rrezikshme dhe i vrau të gjithë keqbërësit.

Tridhjetë vjet më vonë, në filmin e ardhshëm me zombi “Dead Trigger”, flokët e Dolphit sërish janë të ngjyrosura në të zezë, ai është i armatosur me armë të rrezikshme dhe përsëri i vret keqbërësit.

I vetmi ndryshim është se në këtë rast këta njerëz të këqij tashmë janë – të vdekur!

Ka mbërritur traileri për përshtatjen e videolojës, ndërsa përmbledhja zyrtare zbulon: Kur një virus misterioz i vret miliarda njerëz dhe shumë të tjerë i shndërron në zombi të etur për gjak, kapiteni Walker e udhëheqë një ekip elitar i cili duhet t’i shkatërrojë ata dhe ta shpëtojë botën, shkruan KOHA Ditore.

Përveç Lundgrenit, në film luajnë edhe Autumn Reeser, Romeo Miller dhe Isaiah Washington, ndërsa regjinë e bëjnë Mike Cuff dhe Scott Windhauser, kurse skenarin e ka shkruar Heinz Treschnitzer.

Se a do ta shpëtojnë botën Lundgren dhe ekipi i tij, këtë do ta kuptojmë pas 3 majit, kur edhe do të shfaqet filmi.