Aktori i njohur i “Peaky Blinders”, Cilian Murphy, në vazhdimësi ka refuzuar të flasë për humbjen e peshës për rolin në “Oppenheimer”, por detajet janë dhënë nga kolegia e tij, Emily Blunt. Në një deklaratë për “Extra”, Blunt ka folur për transformimin e 47-vjeçarit.
“Ai kishte vendosmëri monumentale. Ishte në gjendje të hante vetëm nga një badem në ditë”, ka thënë 40-vjeçarja.
Në muajin maj, Cillian, në një intervistë për “New York Times” pati refuzuar të jepte detaje për dietën e tij.
“Më pëlqen shumë të veproj me trupin tim, dhe ‘Oppenheimer’ kishte një fizik dhe siluetë shumë të veçantë, të cilën doja ta kisha të drejtë. M'u desh të humbja goxha peshë dhe punuam me kostumin dhe rrobaqepësin. Ai ishte shumë i hollë, mbahej duke pirë martini dhe cigare”, pati deklaruar ai.
Ndërkaq në një intervistë të fundit për “The Guardian” ka thënë se nuk donte të përhapte titujt e gazetave se si humbi peshë për rolin në “Oppenheimer”.
Murphy ka thënë se për rolin në “Oppenheimer” dhe në “Peaky” ka pirë shumë cigare të rreme, por se tash mendon se personazhi i tij i ardhshëm nuk do të jetë duhanpirës.
