Demi Lovato nuk mundi të këndonte të mërkurën mbrëma.
Këngëtarja 30-vjeçare u detyrua të anulonte performancën e 5 tetorit në kuadër të turneut të saj “Holy F*ck” në Rosemont, Illinois të SHBA-së.
“Rosemont, sot u zgjova dhe nuk kisha absolutisht zë. Më vjen shumë keq, por më thyhet zemra t'ju them se duhet ta riplanifikoj shfaqjen. Biletat do të ndërrohen për një datë të re sapo të shpall”, ka shkruar këngëtarja dhe aktorja në një postim në llogarinë e saj në Instagram.
Fituesja e çmimit “MTV Video Music Awards” shprehu po ashtu ngurrimin e saj për të anuluar performancën.
"Kjo është gjëja e fundit që dua të bëj. Po argëtohem shumë me ju të gjithë dhe mezi pres t'ju shoh përsëri. Përsëri, më vjen shumë keq dhe e vlerësoj mirëkuptimin tuaj. Ju dua të gjithëve”, ka shtuar ajo.
Turneu i cili po zhvillohet në mbështetje të albumit të saj të tetë pritet të jetë edhe i fundit i Lovatos.
Më 14 shtator të këtij viti, ajo ka shkruar në rrjetet sociale se po ndihet shumë e lodhur dhe se ky do të jetë turneu i saj i fundit.
