Legjenda e futbollit të Anglisë dhe Manchester United në pension David Beckham, ishte njohur shumë për stilet e flokëve të tij.
Beckham gjatë një organizimi për mbledhjen e fondeve për bamirësi në sinagogën St John's Wood në Veri të Londrës, i tregoi producentit britanik të filmave, Ben Winstonit, se cili ishte stili i flokëve për të cilin është penduar.
“Ne ishim atje me familjen dhe një nga mikeshat e Viktorias që është një parukiere. E pyeta nëse ajo mund të bënte diçka me flokët e mia dhe ajo më pyeti: A doni ‘cornrows’? dhe unë i thashë, po. Nuk e di se çfarë janë, por po. Ishte e dhimbshme t'i kisha bërë, por më pëlqenin. Njerëzit më pyesin nëse ndjeja keqardhje për stilet e flokëve të mia dhe derisa unë nuk pendohem për asnjë prej tyre, jam pak pishman për ‘cornrows’”, ka thënë Beckham, shkruan The Sun.
Ai ka treguar se i kishte prerë flokët të shtunën dhe të hënën kishte fluturuar për në Afrikën e Jugut me ekipin anglez për një ndeshje.

“Duhet të takoja të madhin Nelson Mandela. Dhe në fotografinë që kam me Nelson Mandelan duke mbajtur dorën e tij, unë me stilin e flokëve ‘cornrows’. Ky është pendimi im i vetëm", ka treguar legjenda angleze.
Ylli 48-vjeçar këmbënguli se tani po përpiqet të jetojë jetën e tij i qetë e pa ndjerë keqardhje për asgjë. Megjithatë kur bëhet fjalë për karrierën e tij, ai thotë se ka momente që dëshiron të mos kishin ndodhur, por e di se kishte nxjerrë mësime nga to.
Në Kupën e Botës në vitin 1998, ai goditi lojtarin argjentinas Diego Simeone, dhe u përjashtua nga ndeshja.
“Nuk ka asgjë për të cilën pendohem në karrierën time. Ende mendoj për atë incident shumicën e javëve. Ende më prek, por mendoj se ka ndodhur për një arsye. Është një moment i vështirë në jetën time. Ishte një moment i vështirë për familjen time. Do të përpiqem të mos bëhem emocional... Por isha i ri dhe bëra një gabim. Bëra diçka idiote dhe sinqerisht vuajta për këtë", ka thekuar ai.
(Përgatitit Vita Abrashi - Kajtazi)