Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

David Beckham nuk ka bërë terapi pavarësisht se vuante nga depresioni

Ylli britanik i futbollit, David Beckham, nuk i është nënshtruar asnjëherë terapisë, pavarësisht se vuante nga depresioni i rëndë që i shkaktoi probleme edhe me ushqyerjen.

48-vjeçari i famshëm ishte prekur nga kjo sëmundje pas përjashtimit famëkeq nga një ndeshje e Anglisë kundër Argjentinës në Kupën e Botës në vitin 1998. Kjo bëri që ai të fajësohej për humbjen e ndeshjes dhe e shndërroi atë një figurë të urrejtjes në Britani të Madhe.

Tani për gazetën “Daily Telegraph”, Beckham ka deklaruar se mënyra si është rritur dhe edukuar, bëri që ai të mos kërkonte kurrë këshilla profesionale për t’u ballafaquar me këtë traumë.

David, i cili i ka katër fëmijë me këngëtaren dhe disenjatoren Victoria Beckham, tha se shmangia e pranimit të betejës me depresionin i ka shkaktuar shumë dëme.

“Sëmundja ishte diçka që nuk do ta pranoja kurrë, sepse jam rritur nga një baba i cili nëse i thosha se po ndihem keq dhe pa disponim, më thoshte të mos mendoja për këtë. Por, e vërteta është se unë kisha depresion. Nuk haja ushqim dhe nuk bëja gjumë. E jetoja çdo ditë duke menduar se çfarë do të ndodhë tutje. Njerëzit thoshin se unë duhet të largohesha nga Britania e Madhe. E gjithë kjo periudhë ishte shumë e vështirë për mua”.

Sa i takon konceptit për të kërkuar ndihmë profesionale për ta menaxhuar depresionin, Beckham tha: “Njerëzit ma kishin përmendur këtë dhe unë mendoj se terapia tek psikologu apo psikiatri është një ide e mirë. Sot dëgjoj shumë raste ku yjet e futbollit kërkojnë ndihmë profesionale dhe kjo ju ndihmon shumë. Por, atëkohë unë isha edukuar ndryshe dhe nëse do t’i thosha babait tim se kam nevojë për terapi, do të më qortonte dhe nuk e pranonte depresionin si sëmundje. Prandaj unë e ula kokën dhe vazhdova të punoj edhe më shumë”.

Edhe Victoria tregon për stuhitë që kaluan me David Beckhamin për ta shpëtuar martesën Showbiz Victoria tregon për stuhitë që kaluan me David Beckhamin për ta shpëtuar martesën

David, tani një nga pronarët e ekipit të futbollit “Inter Miami”, ka shërbyer si përkrahës i shëndetit mendor prej vitesh. Ai fillimisht u deklarua publikisht për luftën e tij me çrregullimin obsesiv-kompulsiv, gjë që e bën t’i përmbahet rregullave të caktuara, duke përfshirë drejtimin e objekteve në mënyrë të përkryer dhe pastrimin e vazhdueshëm të shtëpisë dhe ambientit që e rrethon.

Në dokumentarin e ri të Netflixit, “Beckham”, i cili u lansua të mërkurën më 4 tetor, ai flet për këtë problem dhe shumë gjëra të tjera intime që publiku nuk i ka ditur për futbollistin.

Përgatiti: Edona Binaku