Showbiz

Evans tregon pse mungoi në Festivalin e Cannes: Isha në ditëlindjen e nënës

Chris Evans

Chris Evans

Foto: Associated Press

Aktori Chris Evans zgjodhi të festojë ditëlindjen e 70-të të nënës së tij, në vend që të shfaqej në premierën e filmit të tij të ri në Festivalin e Cannes.

Aktori 43-vjeçar, i njohur për rolin e Captain America, tregoi përmes rrjeteve sociale se nuk mori pjesë në shfaqjen e filmit “Honey Don’t!”, një komedi e re ku luan krahas kolegëve Margaret Qualley, Aubrey Plaza dhe Charlie Day, sepse nuk donte të mungonte në një moment të rëndësishëm familjar, ka raportuar People.

“Do të doja të isha me aktorët dhe regjisorët e mrekullueshëm në Cannes, por ishte ditëlindja e 70-të e nënës sime, dhe ka disa gjëra që thjesht nuk duhen humbur! Urime të gjithëve!!”, ka shkruar ai në një postim në InstaStory.

Ndërsa kolegët e tij, Margaret Qualley, Aubrey Plaza, Charlie Day dhe regjisori Ethan Coen, ishin të pranishëm në tapetin e kuq të Cannes, Evans vendosi të mbetet pranë familjes.

Nëna e Evans, Lisa, ka treguar më herët se i biri e kishte pasionin aktrimin që në fëmijëri.

“Ai ishte shumë i përqendruar në aktrim. Regjisori i programit të dramës i detyronte fëmijët të interpretonin Shekspirin, Dario Fo dhe Pirandellon. Chris e adhuronte. Edhe në atë moshë të vogël, e kuptonte çfarë po lexonte. E luante një personazh në mënyrë paksa ndryshe nga ajo që prisje, gjithmonë bënte zgjedhje interesante”, pati thënë ajo në një intervistë për Esuqire në vitin 2020.

Megjithatë, për Evansin, ideja e famës nuk ka qenë gjithmonë tërheqëse, roli i tij në filmat e “Marvelit” si Captain America ishte moment vendimtar, por edhe frikësues.

“Frika e tij më e madhe ishte humbja e anonimatit. Ai më thoshte: ‘Tani kam një karrierë që e dua. Mund të shëtis qenin. Askush nuk më shqetëson. Mund të shkoj ku të dua. Dhe ideja për ta humbur këtë është e frikshme’”, ka kujtuar Lisa.

Ajo ka treguar se i ka dhënë një këshillë që do ta ndihmonte të merrte vendimin që i ndryshoi jetën.

“E pyeta: ‘Do të aktrosh gjithë jetën? Nëse e merr këtë rol, do ta kesh këtë mundësi. Nuk do të shqetësohesh më për qiranë. Nëse e pranon, thjesht duhet të vendosësh që kjo nuk do ta ndikojë jetën tënde negativisht, përkundrazi, do të të krijojë mundësi të reja’”, ka thënë ajo.

Traileri i filmit "Honey Don't"